Futboll

8 skuadra, 13 trajnerë, 1 Kategori Superiore!

Që trajneri është gjithnjë me valixhe në dorë, kjo dihet. Edhe të punosh dhe të jesh i suksesshëm në Kategorinë Superiore nuk është kaq e lehtë.

Këtë e konfirmoi së fundi Partizani që pas humbjes së papritur ndaj Bylis (kryesonte 2-0 dhe u përmbys në shtëpi 2-3 nga Bylis) shkarkoi trainerin Aleksandar Veselinović duke ja besuar skuadrën Abilaliajt që e drejtoi për një kohë të shkurtër në fillim të sezonit. Veselinovic u bë traineri i 13 që humbet vendin e punës këtë sezon.

Ndërsa 8 janë skuadrat që kanë ndërruar timonierin prej muajit Gusht 2024, disa prej tyre më shumë se një herë. Ironik fati i Veselinovic që u mund nga Gentian Mezani (në ndeshjen e dytë në krye të Bylis) që mori vendin e Nevil Dedes pak ditë më parë. Ish kampionët kryeqytetas janë një ndër 5 klubet që do të drejtohen nga traineri i 3 brenda sezonit 2024-2025. 

Laçi e filloi sezonin me Cungun që i la vendin italianit të përkohshëm Passiatore deri në kontratën me Moriero-n. Bylis e filloi me Egbo për të kaluar nëpërmjet Dedes dhe tani te Mezani.

Tirana e filloi me Shkëmbin të cilin e largoi për Maganin por që nuk e priti shumë dhe ktheu sërish korçarin në drejtim. Edhe Teuta është mes këtyre skuadrave pasi e filloi sezonin me shkodranin Martini që u zëvendësua nga Devolli.

Në mungesë të rezultateve edhe ai u largua duke u zëvendësuar nga Hodo. Dinamo, AF Elbasani dhe Skënderbeu janë skuadrat që e ndërruan vetëm një herë trainerin. Mehmeti i la vendin Dajës te blutë ndërsa Gvozdenovic i la vendin Gjokës dhe zëvendësoi Bordin në Elbasan.

Egnatia dhe Vllaznia duket se do të mbeten të vetmet skuadra që do ta mbyllin sezonin me Tetovën dhe Brdaric, me të cilët punojnë që nga java e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë