Histori

8 shtator 1909 – U hap shkolla e parë e mesme shqipe

Në mesin e datave të rëndësishme historike të krijimit të identitetit shqiptar është edhe ajo e hapjes së shkollës së parë të mesme shqipe.

Duke pasur parasysh që populli shqiptar kishte nevojë të madhe për shkollim dhe edukim më 8 Shtator 1909 – Kongresi i Elbasanit vendosi hapjen e shkollës së parë të mesme shqipe e njohur si “Normalja (Pedagogjike) e Elbasanit.

Drejtor u caktua Luigj Gurakuqi, ndërkohë mësimet filluan më 1 dhjetor.

Kongresi i Elbasanit (apo Kongresi i Shkollave Shqipe) u mbajt nga 2 deri 10 shtator të vitit 1909 në qytetin e Elbasanit, në godinën historike të shkollës së Kalasë.

Në kongres morën pjesë 35 delegatë, përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare, që u përkisnin qyteteve të trevave shqiptare, si Orhan Pojani, Grigor Cilka, Gjergj Qiriazi, Ahmet Dakli, Refit Toptani, Kahraman Vrioni, etj.

Punimet këtij Kongresi u drejtuan prej një kryesie të  përbërë nga Dervish bej Biçaku, kryetar Mit’hat Frashëri, nënkryetar  Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima sekretar.

Në programin e punimeve të kongresit vendin kryesor e zinte njohja zyrtare dhe përhapja e gjuhës shqipe në sistemin arsimor. Në fund të punimeve, Kongresi doli me një rezolutë të përbërë prej 15 pikash dhe të firmosur nga të gjithë delegatët.

Një nga aktet më të rëndësishme të kësaj rezolute ishte hapja e një shkolle normale (pedagogjike) në Elbasan, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore, krijimin e Shoqërisë “Përparimi”, në Korçë, që do të kujdesej për administrimin e Shkollës Normale të Elbasanit, për hapjen e shkollave të tjera shqipe dhe botimin e librave. Ngarkimin me detyrë të klubit të Manastirit që të nxirrte lejen për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në të gjitha shkollat shtetërore.

Në kongres u diskutua edhe për të arritur një bashkërendim të veprimeve të klubeve dhe shoqërive shqiptare, të drejtuara nga klubi i Manastirit që u zgjodh si klub qendror.

Kongresi pati rëndësi historike për vendimet që mori në lidhje me sistemin e shkollimit shqip, hartimin e programeve unike, mënjanimin e shkollave në gjuhë të huaj dhe zëvendësimin e tyre me shkolla shqipe, zgjedhjen e dialektit të Elbasanit si gjuhë kombëtare, si dhe themelimin e Shkollës Normale të Elbasanit, e cila u hap vetëm tri muaj më vonë, në dhjetor 1909. Kongresi gjithashtu trajtoi probleme të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë