Nga Luljeta Nelallari – “Këpucët e kuqe” vijnë në Durrës për herë të parë dhe jo pa qëllim, por për të dhënë idenë e një 8 Marsi jo me këngë e valle, por në formë sensibilizimi të dhunës ndaj gruas.
Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës për të rritur ndërgjegjësimin e për të kujtuar të gjitha gratë e vajzat që nuk janë më, në shkallët e galerisë së artit “Nikolet Vasia” ka vendosur instalacionin me “Këpucët e Kuqe”, që janë mbledhur nga gratë e qytetit.
Ideatorja e kësaj nisme, regjisorja e njohur, Driada Dervishi, tregon për Gazetën Si se “këpucët e kuqe” që tashmë kanë bërë xhiron e botës, përbën një risi për qytetin e Durrësit, për të dhënë një mesazh të rëndësishëm, siç është ai i dhunës ndaj grave.
“Këpucët e kuqe në fakt nis shumë më herët, në vitin 2009, nga arkitektja dhe artistja meksikane, e cila po bën xhiron e botës, në të gjithë qytetet kryesore, duke filluar nga Parisi, në Romë, në Meksikë, dhe unë besoj që kjo është një risi për qytetin e Durrësit, në mënyrën e konceptimit të këtyre këpucëve të kuqe, të vendosura në këto shkallë dhe kjo jo pa një arsye. Që prej dy tre vitesh, unë jam përpjekur që me datën 8 mars të japim mesazhe dhe të kontribuojmë disi në ngritjen e zërit të këtij fenomeni kaq të shëmtuar siç është dhuna ndaj gruas”, shprehet regjisorja Dervishi për Gazetën Si.
Po ashtu, në Teatrin e Durrësit, në rrjetet sociale në orën 19:00 do të jepet premiera “8 gra, 8 histori të vërteta”, përmes 8 aktoreve të njohura, si Suela Bako, Monika Lubonja, Adelina Muça, Andia Xhunga, etj. ku do të vijnë 8 histori të vërteta të grave të forta, por të dhunuara.
Dervishi tregon për Gazetën Si se në këtë vit të vështirë nga pandemia, ka qenë e pamundur organizimi i një shfaqjeje teatri, ndaj vjen me këto 8 histori të grave të dhunuara.
“Ne këtë vit duke pasur parasysh pandeminë dhe duke pasur të pamundur që ne të organizonim një shfaqje teatri vendosa që të sjell 8 histori të shkurtra, 8 histori të vërteta, 8 histori jete të grave të cilat kanë qenë të abuzuara fizikisht, psikologjikisht, seksualisht, apo edhe të grave të cilat nuk jetojnë sot më”, shprehet ajo.
Por pse u zgjodh pikërisht qyteti i Durrësit? Regjisorja tregon se u zgjodh qyteti i Durrësit si një kambanë alarmi për shifrat e larta të dhunës ndaj grave.
“Ideja ishte për të tronditur pak imazhin e Durrësit, të një qyteti disi indiferent, ndërkohë që shohim vitet e fundit një Durrës të ri, një Durrës heterogjen, ku duhet thënë është qarku i Durrësit, i cili ka shifrat më të larta të dhunës ndaj grave në Shqipëri dhe për këtë arsye mendoj që është një kambanë alarmi. Arti ka për të detyrë që të përcjellë mesazhe të forta dhe të ngrejë zërin për të gjithë ata njerëz që në njëfarë mënyre nuk arrijnë dot që ta ngrenë zërin. Ka ardhur momenti për ta ngritur zërin dhe për t’i thënë brezit të ri që kjo nuk është e vërtetë më”, thekson ndër të tjera Dervishi.
8 historitë e vërteta vijnë nën idenë e regjisores Driada Dervishi, me aktoret: Mimoza Marjanaku, Andia Xhunga, Suela Bako, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj, Monika Lubonja dhe gazetaren Vali Qyrfyçi nën “shoqërinë e këpucëve të kuqe”.
Shkrimtarja dhe aktorja e njohur, Anisa Markarian, plotëson këtë tetëshe grash e historish, e cila ka shkruar një histori, një ngjarje të vërtetë, që do të vijë e rrëfyer nga vetë ajo. Aktorja Adelina Muça sjell historinë e një vajze që nuk duhet të qajë, “Mamatë nuk qajnë””
Një pjesë e historive janë përpunuar e përzgjedhur nga libri “10 gra, 10 rrëfime – histori që sfidojnë botën” nga Elga Mitre. Ky libër është një botim i vitit 2020 dhe përmbledh histori të vërteta të grave të ndryshme të cilat janë abuzuar fizikisht, psikologjikisht a seksualisht. Dhe është pikërisht aktorja Andia Xhunga që sjell historinë e gruas së parë që vendos të hyjë në një strehë për gratë dhe vajzat e dhunuara referuar këtij libri.
8 historitë janë të xhiruara të gjitha nga Daniel Dervishi, që është dhe drejtor i fotografisë dhe eventi do të mund të ndiqet Live në Facebook, si çdo shfaqje në muajt e fundit.
“Sigurisht komunikimi mund të jetë në këtë formë virtuale, le ta përdorim teknologjinë për një kauzë të drejtë”, thotë ndër të tjera Dervishi për Gazetën “Si”.
Regjisorja thotë se aktiviteti nuk ndalet vetëm me datën 8, pasi edhe nesër do të shikoni 8 burra po në faqen e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.
“4 aktorë dhe 4 artistë të ndryshëm të degëve të ndryshme, do të interpretojnë 8 poezi, të cilat janë të shkruara nga 8 poete gra. Do të jenë poezi nga artiste shqiptare si poezia e Yllka Mujos, Ema Andreas, Suela Bakos dhe një poete italiane, Alda Merini”, përfundon regjisorja Dervishi.
Historia e këpucëve të kuqe
Që prej vitit 2009 “Këpucët e kuqe” të artistes Elina Chauvet kanë shëtitur botën.
Në 2009, artistja Elina Chauvet u vetëdijësua mbi numrin e vajzave dhe grave që zhdukeshin për të mos u gjetur më, rrugëve të qytetit Ciudad Juárez, në Meksikë, ku ajo ndërkohë jepte mësime arti. “Zapatos Rojos” kishte si qëllim tërheqjen e vëmendjes globale ndaj kësaj tragjedie. Chauvet është familjare me tragjedinë sepse ajo vetë ka humbur një motër të vrarë nga një burrë që s’u përndoq kurrë për krimin e kryer. Çdo këpucë simbolizon një grua të zhdukur rrugëve të Ciudadit, e ngjyra e kuqe, gjakun e tyre të derdhur. Instalacioni i saj i parë përfshinte 33 palë këpuce, ndërsa më vonë, ky projekt mori jetë më vete duke u pozicionuar në gjashtë vendndodhje në Meksikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.