Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha interpretuan sipas këndvështrimit të tyre 8 Dhjetorin e vitit 1990, kur nisi lëvizja studentore që i dha goditjen e fundit regjimit komunist.
Presidenti fton të rinjtë të ndjekin shembullin e 3 dekadave më parë kur thotë se është koha për një rifillim.
“Për rivendosjen e Demokracisë dhe Llogaridhënies! Për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa! Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë. Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit! Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur? DO T’IA DALIM ME SUKSES SEPSE NUK KEMI RRUGË TJETËR! ” , shkruan ai.
Kryeministri, protagonist i asaj lëvizjeje e përkujton ndryshe. 30 vite mbi shpinën e një njeriu i vlerëson shumë, por jo mjaftueshëm për transformimin e një vendi nga një diktaturë e egër në demokraci funksionale.
“30 vjet janë shumë në rrugën e një njeriu, por jo edhe aq në rrugën e historisë së një vendi e sidomos kur kjo është koha e kalimit nga një diktaturë ekstreme, në një demokraci funksionale. Bëhen plot 30 VJET sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite”, shkruan Rama.
Lulzim Basha thotë se është koha për të përmbushur zotimin e studentëve 30 vite më parë për Shqipërinë si gjithë Europa.
“Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut – dhe fituan. Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t’i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.