Njerez

79 vjet nga pushkatimi i At’ Anton Harapit/ Fjala e fundit në gjyq: ‘Rrnoftë Shqipnija’

Nga Gazeta “SI” – Padër Anton Harapi u lind në fshatin Shirokë të Shkodrës në vitin 1888. Mësimet e para i mori në qytetin e Shkodrës dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Vienë për Teologji e Filozofi. Pas shugurimit si meshtar ai shërbeu si famullitar në fshatin Grudë që asokohe përfshihej nën Principatën e Malit të Zi.

Më pas Padër Antoni u kthye në qytetin e tij të Shkodrës, ku shërbeu për disa vjet si drejtor i Kolegjit Françeskan. Pas kësaj, Padër Antoni punoi dhe si drejtor i gjimnazit “Illyricum” ku jepte lëndën e Filozofisë. Gjatë viteve 1941-‘43 Padër Antoni u emërua si Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në fund të vitit 1944, në mbarimin e luftës.

Pak ditë pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, Padër Antoni u thirr dhe pranoi postin e regjentit në Këshillin e Lartë të Shtetit, ku përveç tij, bënin pjesë dhe Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Fuat Dibra. Pas mbarimit të Luftës dhe me ardhjen e komunistëve në fuqi në nëntorin e 1944, Padër Antoni nuk u largua nga Shqipëria, por u fsheh në malësitë e Shkodrës për t’iu shpëtuar ndjekjeve të komunistëve.

Nga fillimi i vitit 1946, ai u arrestua në shtëpinë ku fshihej dhe doli në gjyq para Gjykatës Speciale në Tiranë, e cila me vendimin nr. 9 të dt. 19 shkurt të vitit 1946, e dënoi atë me vdekje me pushkatim, duke e cilësuar si kriminel lufte. Pushkatohet me 20 shkurt 1946.

Fjalët e fundit të At Anton Harapit para trupit gjykues.

“Falnderoj Drejtësinë e Popullit që po më jep fjalën e fundit në këtë kohë të kritikshme për mue. Fjala jeme e fundit asht kjo: Nuk shembet Shqipnija pse gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Gjithashtu, nuk prishet Shqipnija nëse nuk gjykohet për dekë Padër Anton Harapi. Kur përpara 40 vjetëve, në Shkodër u përpiqshim me ba Shqipninë, shumë gjysha na thojshin se nuk duem Shqipni, por na nuk i kena vue këta n’litar.

Nuk kërkoj z. Kryetar, nji tolerancë: unë, simbas mundit, kam derdhë djersë me ba Shqipninë. Franca e qytetnueme asht shembulla e revolucioneve popullore, e gjykoi Petain dhe e fali, e këtë nuk ia njoftën për të keq, por ia njoftën për mirë. Kujtoj se edhe Shqipnija kur gjykon Regjentat, besoj se sikur t’i falin këta, nuk ka me kenë ligësi për Shqipninë, por besoj se ka me kenë mirë. Unë qëkur se kam hy në gojën e ujkut, Hausdingut, etj., jam përpjekë me ba mirë e me pështue ndonji jetë prej egërsinave.

Por mekenëse ishin bisha t’egra, nuk kam mujtë me i zbutë, por prap, me mundin tem kam pështue mjaft. A ka pasë shqiptarë të marrë si unë që, për me pështue njerëz, me shkue e me u futë vetë në gojën e ujkut?! Ka pasë që sakrifikohen moralisht. Këtë e kam thanë edhe në ligjeratën teme. Mue më shtyni marrija me shkue e me u përpjekë për me lehtësue vuejtjet e disa familjeve dhe kam ba mjaft punë morale, sikurse e jueja që asht materoale. Gja tjetër nuk kam me thanë: Rrnoftë Shqipnija!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë