Gazeta “Si” -Sot, më 17 dhjetor, aktorja e madhe Tinka Kurti feston 93-vjetorin e lindjes, duke shënuar jo vetëm një tjetër vit jete, por edhe një histori të jashtëzakonshme artistike që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.
Sa herë që ngjitet në skenë ajo korr sukses dhe sa herë që shfaqet në ekran nderohet me respektin më të madh. Kjo është Tinka Kurti , një emër që identifikohet me përkushtimin, talentin dhe dinjitetin artistik. Me një karrierë të jashtëzakonshme, ajo ka skalitur në memorien e teatrit dhe kinemasë mbi 120 role ikonike, duke u kthyer në simbol të femrës së fortë dhe ngadhnjimtare shqiptare.

E lindur më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë, Tinka Kurti ka pohuar gjithmonë me krenari:
“Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia.”
Ky qytet do të bëhej themeli i rrugëtimit të saj artistik dhe shpirtëror.
Arsimin fillor 7-vjeçar ajo e kreu në Sarajevë, ndërsa në moshën 13-vjeçare familja e saj u shpërngul në Tiranë, ku ajo vijoi studimet në Politeknikumin e Tiranës. Rastësisht, siç e ka treguar shpesh vetë, u regjistrua në degën e Dramës. Megjithatë, shumë shpejt u përjashtua nga shkolla me motivacionin “shfaqje të prirjeve liberale”.
Fati i saj artistik ndryshoi falë regjisorit Andrea Skanjeti, i cili zbuloi talentin e saj të rrallë dhe e riktheu në skenë me shfaqjen “Dasëm Shkodrane” në vitin 1948. Pas themelimit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, Tinka Kurti u bë pjesë e trupës si aktore gjysmë-profesioniste dhe ishte ndër 10 aktorët themelues të këtij institucioni të rëndësishëm kulturor.
Roli i saj në shfaqjen “Toka Jonë”, me regji të Kol Jakovës, i solli çmimin “Aktorja më e mirë e Republikës” dhe kupën e Festivalit të parë të Teatrit Shqiptar, duke e ngjitur përfundimisht në elitën e aktorëve profesionistë.
Gjatë karrierës së saj, Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi, duke u kthyer në një nga figurat më të dashura dhe më të respektuara të artit shqiptar.

Në vitin 1994, ajo u përfshi në Enciklopedinë e Institutit Biografik Amerikan si një nga 5,000 gratë më të shquara në botë. Më 17 dhjetor 2007, në ditëlindjen e saj, ajo u ftua në Uashington (SHBA) për të vendosur një pllakë mermeri me emrin e saj në këtë institut , një vlerësim me përmasa ndërkombëtare.
Për kontributin e jashtëzakonshëm artistik, Tinka Kurti është nderuar me tituj dhe çmime të shumta, mes tyre “Artiste e Merituar”, “Artiste e Popullit” (1961) dhe urdhrin e lartë “Grand Master”, akorduar nga Presidenti i Republikës.
Sot, në 93-vjetorin e lindjes, Tinka Kurti mbetet një monument i gjallë i artit shqiptar, një figurë frymëzuese për breza të tërë artistësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




