Nga Gazeta ‘Si’ – Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar një marrëveshje me Bankën Botërore për një kredi prej 75 mln eurosh për të investuar në sistemin e impiantit të ujërave të ndotura në lumin Vjosë.
Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se në këtë projekt që do mbajë emrin “Deti blu” marrin pjesë 8 bashki.
Ajo shtoi se investimi do menaxhohet nga ministria e Turizmit.
“Miratuam një marrëveshje kredie me Bankën Botërore, më saktë me BERZH prej 75 mln eurosh për të investuar në sistemin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura të bashkive që lagen nga ujrat e lumit Vjosë. Nuk mund të kemi një park të tillë nëse nuk merremi me sistemin e mirëmbajtjes
Është një punë e gjatë që kurorëzohet sot. Ka një emër karakteristike kjo marrëveshje, ‘Deti blu’.
Është një investim që do menaxhohet nga ministria e turizmit. Janë 8 bashki që do jenë pjesë e projektit”, deklaroi ajo ndërsa shtoi se ky është një program asistence për menaxhimin, por edhe për biznesin që do të drejtohen drejt ekosistemit. Ndërsa ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se qeveria ka vendosur të thellojë reformën e ndërmarrë për sa i përket sistemit të Gjendjes Civile në Shqipëri. Ai deklaroi se do të ndryshohet ligji për sistemin e adresave.
Më tej, Balla shtoi se çdo qytetar e ka detyrim të tregojë se ku jeton.
“Do ndryshojmë ligjin për sistemin e adresave. Thellojmë reformën për sistemin e gjendjes civile. Biem dakord të gjithë që kemi revolucion digjital në shërbime, që ka sjellë kursime të parave dhe të kohës që ata harxhojnë për të marrë dokumentet e nevojshme. Qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë ta tregojnë në E-Albania se ku jetojnë. Mund ta tregojnë me një faturë uji apo dritash. Çdo qytetar e ka detyrim të tregojë se ku jeton”, u shpreh Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.