Histori

73 vjet pas bombës atomike, pemët e ginkove ende rriten në Hiroshimë

Emma Betuel/ Inverse – Më 6 gusht të vitit 1945, avioni i forcave Aleate hodhi një bombë atomike në Horoshima të Japonisë, duke krijuar një top zjarri afro 370 metra, në diametër. Katastrofat rrodhën mbi qytet, duke vrarë afro 150 mijë njerëz dhe duke rrafshuar si peizazhin biologjik ashtu edhe atë të krijuar nga dora e njeriut. Pak mbeti në këmbë, por në një farë mënyre pemët e ginkove arritën t’i bënin ballë çasteve më shkatërruese në historinë njerëzore.

Një nga Ginkot e mbijetuara në Hiroshima. 

Ato pemë, tani të etiketuara si “pemët e bombës bërthamore” ose hibakujumoku, në gjuhën japoneze, janë ende sot në Hiroshimë, monumente njëherazi të aftësisë njerëzore për shkatërrim si edhe aftësisë së natyrës për t’i përballuar më së keqes. Por ndërsa këto 170 pemë janë tanimë të famshme se i kanë mbijetuar shpërthimit në Hiroshimë, ginkos si specie kanë rezistuar përmes historisë 200 milionë vjeçare të thirrjeve që shtruan terrenin për aftësitë e saj t’i bënin ballë sulmit të bombës atomike, shpjegon Sir Peter Crane, Ph.D., drejtor i Shkollës së Studimeve pyjore dhe të mjedisit, në Yale.

“Shumë pemë janë elastike, por ginkoja duket veçanërisht elastike”, ka thënë Crane. “Por ajo që duhet të mbani mend është se ka një paradoks të madh në zemër të kësaj historie të ginkos dhe ishin pranë zhdukjes.”

Një pemë Giinko,  e mbijetuar e Bombës Atomike, rritet nëpër çatinë e tempullit Anraku-ji, në Hiroshima.

Paradoksi i mbijetesës së Ginkove

Bimët me fara mund të ndahen në dy kategori: angiospermat, të njohura edhe si bimët me lule, ose “bimët me fara të zhveshura.” Pemët e ginkove bien lehtë në kategorinë e gimniospermave, por krijojnë një nënklasifikim të quajtur Ginkgoidae.Ginkot që njohim sot janë të vetmet anëtarë të mbetur të këtij nënklasifikimi.

Në periudhën e dinozaurëve, shpjegon Crane, ginkos u diversifikuan dhe lulëzuan në Laurazi, pararendësi i kontinentit të Azisë. Por gjetjet e fosileve tregojnë se ditët e arta të ginkove nuk ishin të destinuara të zgjasnin. Gjatë rrjedhës së disa  miliona viteve, ginkot nisën të zhdukshin ngadalë nga gjurmët e fosileve. Nga epoka e Akullnajave, që nisi afro 2.5 milionë vjet më parë, akujt vranë thuajse të gjithë llojet e ndryshme të linjës së ginkove, duke lënë vetëm një sasi të vogël të tyre nëpër pyjet e Kinës qendrore. “Në fund të epokës së fundit të akullnajave, në disa popullsi të izoluara të Kinës, arritën të mbijetonin ginkot nga të cilat rrjedhin këto të sotmet, qofshin në Mahnatan, Tokio, San Francisko apo Seul”, thotë Crane.

 Duke i mbijetuar zhdukjes në masë, enklava e vogël e ginkove të forta kineze ishte e qetë për disa miliona vite. Por më pas, nisën të përhapeshin edhe njëherë me pak ndihmë nga njerëzit. Crane vlerëson se mes viteve 1300 dhe 1400, pemët kishin mbërritur në Japoni. Me të mbërritur atje, kokëfortësia evolucionare e këtyre “fosileve të gjalla” u testua për të dytën herë nga forcat shkatërrimtare që çuditshëm krijuan skenën për mbijetesën e tyre në Hiroshima.

Tërmeti i madh Kanto

Në vitin 1923, një tërmet i madh goditi jugun e Tokios me një magnitudë 7.9, duke i vënë flakët qytetit. Nga qyteti, mbetën vetëm 10 mijë ginkot që kishin udhëtuar drejt Japonisë 500 vjet të shkuar. Por, brenda muajve, njerëzit nisën të vërenin diçka të çuditshme. Ndërsa pemët e tjera vdiqën, ginkos nisën ngadalë të rriteshin sërish. Lëvorja dhe unazat e jashtme të pemëve ishin djegur, por qelizat e gjalla brenda kishin mbetur në jetë.

Parku Motomachi, në Hakodate pas tërmetit të madh Kanto, më 1923.

“Japonezët vërejtën se ginkot mbijetuan në mënyrë të shpërpjesëtuar nga pemët e tjera,” thotë Crane. “Indet e gjalla të pemëve nuk ishin dëmtuar krejtësisht nga zjarri; në të njëjtën mënyrë që nuk u dëmtuan nga bomba e Hiroshimës. Pas zjarrit nga tërmeti i madh kur ato nisën të rimbillnin, u fokusuan te ginkot, sepse e dinin se ishte veçanërisht rezistuese ndaj zjarrit.”

Nisi kështu një përpjekje për të rimbjellë, e gjitha e fokusuar në ngulmimin e çuditshëm të ginkove. Afro 16 mijë pemë të reja ginkoje u mblodhën në vend nga qeveria japoneze dhe një grusht prej tyre mbërritën deri në Hiroshima, ku dëshira e tyre për të jetuar u testua edhe njëherë, 20 vjet më vonë.

Zyra e Policisë Metropolitane duke u djegur në Marunouchi, pranë Parkut Hibiya , Tokio, pas Tërmetit Kanto.

Një “cilindër qelizash të gjalla”

Në gusht të vitit 1945, pemët e ginkove në Hiroshimë, ishin në gjethnajë të plotë. Kur bomba goditi, nxehtësia i dogji menjëherë gjethet si të mos kishin ekzistuar. Degët u këputën, ndërsa lëvoret u dogjën plotësisht. Por, siç shpejton Crane, pema ishte ende e gjallë brenda. Diku, nën të gjithë shkatërrimin, një cilindër i vogël “qelizash të gjalla” duhet të mbijetonte. Fatmirësisht për pemët e ginkove, organizimi i skajshëm i indeve qelizore krijoi një ndarje, që ishte imune ndaj shkatërrimit. Në pjesën e jashtme të lëvores, kishte një guaskë e ngurtë qelizash të vdekura. Brenda është floema më e butë, që transporton sheqernat që ushqen qelizat e tjera. Pastaj vjen ksilema, një shtresë që prodhon drurin e pemës. Pranë bërthamës është kambiumi, të cilin Crane e quan “cilindër të qelizave të gjalla”.

Bomba atomike pothuajse shkatërroi shtresat e vdekura të jashtme, por Crane hamendëson se lëvorja e ginkos ishte mjaftueshëm e fortë për të mbrojtur jetën brenda saj. “Pra, tani keni një pemë të zhveshur, pa gjethe, por që çel sythe, ka ende mjaft energji aty ku sythet mund të zhvillohen dhe gjethet e reja nisin të formohen,”, thotë ai.“Janë ato inde të gjalla që mund të furnizojnë me lëndët ushqyese që vijnë prej rrënjëve dhe që mund të diferencohen në gjethe për stinën e ardhshme.”

Procesi i rilindjes

Në vjeshtën e vitit 1945, pemët ishin ende duke e marrë veten nga tronditja e madhe e bombës atomike. Por deri atëherë, rrënjët e ginkove, thellë në tokë, vazhdonin qëndrueshëm të mblidhnin ushqyer thelbësore, pavarësisht rrezatimit që do të zgjaste, nga bomba. Kjo qëndrueshmëri është një tjetër pjesë e mjeteve mbijetuese të ginkos, thotë Deanna Curtis, kuratore e Bimëve Drusore dhe menaxhere e peizazheve në Kopshtin Botanik në Nju Jorkut.

“Do të mendoja se vendndodhja e pemës dhe saktësisht aty ku po shkonin rrënjët e pemës mund të ketë luajtur një rol në mbijetesën e këtyre pemëve,”, thotë Curtis për revistën Inverse. “Ginkot konsiderohen si tolerante mes një varietete kushtesh stresuese të dheut, që çon në përdorimin e tyre si pemë të zakonshme për rrugë.”

Ginkgo Biloba Fruit Gingko Tree Fukushima Tree

Pemët ginko janë shënjuar në Horoshimë në një territor prej 2200 metrash nga qendra e shpërthimit. Ato mund të jenë ekspozuar ndaj një sasie masive rrezatimi – si shiu i zi, errësira e hirit dhe veçantitë tjera që ranë ato ditë pas shpërthimit. Por edhe pse janë ekspozuar ndaj asaj çka mund të ishte gjendja më stresuese e dheut në historinë e planetit, pemët mbijetuan.

Në pranverë, ginkot lulëzuan sërish dhe vazhduan ta bënin këtë për çdo pranverë. Sot, secila pemë ka një emër dhe është e shënjuar nga një pllakë. Janë tashmë memorialë të natyrës, përkujtues se evolucioni e ka pajisur jetën për të mbijetuar edhe në katastrofat më të mëdha të shkaktuara nga njerëzit.

“Kjo ishte ajo çka mbërtheu imagjinatat e njerëzve”, përfundon Crane. “Kemi këtë skenë të pabesueshme shkatërrimi dhe do duheshim muaj që njerëzit ta rroknin atë. Ashtu siç kishin ikur në dimër, jashtë dolën këto gjethe të reja nga pemët që të gjithë i dinin të vdekura. Kjo është fuqia e historisë së ginkove”.   *Përktheu:Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë