Shendet

73.3% e popullsisë së Tiranës e imunizuar. Akademia e Shkencave: Doza e tretë mbi 60 vjeç, vaksinimi edhe i fëmijëve mbi 12-vjeç

Akademia e Shkencave ka publikuar studimin për koronavirusin dhe përhapjen e tij në disa qendra shëndetësore në vendin tonë. Në studimin e ASH thuhet se deri më tani janë imunizuar 73.3% e popullatës në Tiranë dhe berat. Sipas ekspertëve të ASH nevojitet një dozë tjetër përforcuese e vaksinës për personat mbi 60 vjeç dhe ata me sëmundje shoqëruese.
Virologu Genc Sulçebe theksoi se është e nevojshme të “të planifikohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratura për këto mosha”.
Akademisë së Shkencave ka monitoruar që në 6-mujorin e parë të pandemisë nivelin e seroprevalences se antitrupave anti SARS-CoV-2 në popullatën shqiptare në një kohë që përkon me prezencën e variantit Alfa në vendin tonë.
Në të tre fazat e studimit të seroprevalencës u morën në studim 4 qendra shëndetësore total ( Nr.3 Siri Kodra, Nr.7 Laprakë, Nr.8 Tirana e Re, Nr.9 21 Dhjetori) dhe një qendër në qytetin e Beratit (Qendra shëndetësore numër 3). Në këtë fazë të tretë të studimit, që nisi në 16 qershor 2021 deri 23 korrik 2021 monitoruan 1527 banorë të moshës 20 deri 75 vjeç të cilët u përzgjodhën në mënyrë krejt të rastësishme nga listat e regjistrave të mjekëve të familjes. Seroprevalenca e përgjithshme e antitrupave IgG specifike anti S1-SARS-CoV-2 rezultoi 73.3%.
Duke prezantuar të dhënat mjeku Sulçebe shpjegoi se ndaja e popullatës së monitoruar për sa i përket imunitetit të marrë nga infeksioni apo nga vaksina ishte; 33 për qind e kanë marrë imunitetin vetëm nga infektimi, 24 për qind e kanë vetëm nga vaksina, 18 për qind e kanë marrë nga infektimi që kanë kaluar më parë dhe vaksinimi dhe 25% rezultuan pa informacion.


Gjatë konferencës, Sulçebe gjithashtu theksoi se varianti Delta e ka ndryshuar situatën duke bërë që të konsiderohet një imunitet tufe më i lartë për të qenë më pak i rrezikuar nga infeksioni Sars-Cov-2. Sulçebe shtoi se nëse vijojmë në të njëjtat shifra nuk përjashtohet fakti që do të rritet sëmundshmëria dhe vdekshmëria në javët e ardhshme.
Ndërkaq mjeku epidemiolog në ISHP, Alban Ylli tha se rezultatet duhet të përkthehen për të ndihmuar në vijimësinë e situatës pasi imuniteti i tufës është i paktë dhe duhet të jemi të përgatitur për periudhën vjeshtë-dimër e cila pritet të jetë me intensitet të lartë. Duke u bazuar në të dhëna Ylli shpjegon se nëse në Prill, Tirana ishte qyteti lider për infektimet, tashmë qytetet e tjera janë të njëjta me të.
Gjithashtu rekomandohet vaksinimi i të rinjve mbi moshën 12 vjeç me vaksina të miratura për këto mosha.
“Vaksinimi i të rinjve mbi 12 vjeç t’u rekomandohet prindërve vetëm për ata të rinj që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe sidomos për ata që kanë sëmundje shoqëruese kronike”, tha Sulçebe.


Në vijimësi të kësaj Sulçebe shpjegoi se për të parandaluar riinfektimet në individët e vaksinuar apo që e kanë kaluar infeksionin mbi 6 muaj përpara, diskutohet kryerja e një doze përforcuese vaksine në moshat mbi 60 vjeç, si dhe në ata me sëmundje shoqëruese.
Më tej virologu tha se për dozën e tretë, mund të bëhet edhe përzierje e vaksinave. Nëse një individ ka marrë dy doza Coronavac, e treta mund të jetë edhe AstraZeneca ose Pfizer që sipas tij janë provuar të jenë efikase.

Por sa i përket rekomandimeve të ekspertëve në Akademinë e shkencave, Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli shpjegoi se nuk përputhen shumë me studimin aktual dhe kërkoi nga ekspertët që, të përcaktonin saktësisht kohën kur duhej bërë doza e tretë tek personat +60 vjeç dhe të ketë një raport të qartë me argumente pro dhe kundër për vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeçare.

Nga të dhënat e studimit mësohet se në popullatën e monitoruar, 3 për qind e peronave kishin rënie totale të antitrupave dhe 13% e tyre nuk kanë pasur antitrupa dhe pas bërjes së vaksinës.
Sulçebe shtoi se në një monitorim të shkurtër 3 ditor në grup moshat e studentëve vërehet një imunitet prej 52%, gjë që sipas tij tregon se jemi ende nën nevojën e vaksinimit masiv dhe duhet të ndodhe sa më shpejt para nisjes së shkollave.
Në studim shkruhet gjithashtu se seropozitiviteti në 1570 mostra të marra është rreth 85.9 për qind nga vaksina dhe 76.8 për qind nga infeksioni natyror dhe vihet re një përqindje më e lartë tek gjinia femërore (1002 femra dhe 525 meshkuj).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë