Lajme

70 vjet nga vdekja e Mit’hat Frashërit

Në Tiranë u përkujtua në 70-vjetorin e vdekjes, mendimtari dhe publicisti i njohur, Mit’hat Frashëri.
Homazhet në nderim të tij u organizuan nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” si dhe u prezantua vepra e katërt me punë të zgjedhur të Frashërit.
Themeluesi i Institutit “Lumo Skëndo”, Agron Shehaj vlerësoi figurën e Frashërit, duke e cilësuar si një ndër baballarët e vërtetë të kombit tonë e të gjuhës shqipe po ashtu.
“Ka që nga koha e komunizmit mizor që qasja kryesore e politikës shqiptare është: historia fillon me mua. Ka shumë dekada që udhëheqësit tanë sillen si baballarë apo shpëtimtarë të kombit. Sot është koha që ne të njohim baballarët dhe shpëtimtarët e vërtetë të kombit dhe të shqipes.
Dhe jo thjesht për patriotizëm, as thjesht për të respektuar të shkuarën. Po sidomos për të kuptuar dhe për të njohur të sotmen dhe të ardhmen”, u shpreh Shehaj gjatë ceremonisë përkujtimore.
Mit’hat Frashëri lindi në Janinë më 1880-ën dhe ndërroi jetë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara më 3 tetor 1949. Frashëri dha një kontribut të madh në kulturën shqiptare si publicist, shkrimtar, diplomat, politikan dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Më 14 nëntor të vitit të shkuar, amaneti i tij për t’u prehur në atdhe u vu në vend.
Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave, pothuajse shtatëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta, u organizua gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, ku Mit’hat Frashëri ishte kryetar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë