Histori

7 Marsi, kush ishin patriotët e Mësonjëtores së Parë Shqipe

“𝑀𝑠𝑜𝑛𝑖 𝑉𝑖𝑠𝑎𝑟 𝑞𝑒̈ 𝑔𝑗𝑒𝑟 𝑠𝑜𝑡 𝑑𝑒̈𝑠ℎ𝑖𝑟𝑎 𝑡’𝑜𝑛𝑒̈ 𝑢 𝑚𝑏𝑎𝑟𝑢𝑎; 𝑠ℎ𝑘𝑜𝑙𝑙𝑎 𝑠ℎ𝑞𝑖𝑝𝑒 𝑢 ℎ𝑎𝑝, 𝑑𝑟𝑢𝑟𝑖 𝑞𝑒̈ 𝑣𝑢𝑚𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒𝑡 𝑘𝑒̈𝑡𝑢 𝑒 𝑑𝑦 𝑣𝑗𝑒𝑡, 𝑠𝑜𝑡 𝑙𝑢𝑙𝑒̈𝑧𝑜𝑗 𝑑ℎ𝑒 𝑑ℎ𝑎 𝑝𝑒𝑚𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑒̈𝑚𝑏𝑙𝑎. 𝐺𝑒̈𝑧𝑜𝑗𝑢 𝑠𝑒 𝑑𝑗𝑒 𝑢 ℎ𝑎𝑝 𝑑ℎ𝑒 𝑢 𝑠ℎ𝑘𝑟𝑢𝑎𝑛 𝑑𝑗𝑒𝑚 𝑚𝑒̈𝑠𝑜𝑛𝑗𝑒̈𝑡𝑜𝑟𝑒̈. 𝑍𝑜𝑡’ 𝑖 𝑗𝑒𝑡𝑒̈𝑠, 𝑜 𝑣𝑒̈𝑙𝑙𝑎, 𝑒 𝑏𝑒𝑘𝑜𝑓𝑡𝑒̈ 𝑑ℎ𝑒 𝑒 𝑠ℎ𝑝𝑒̈𝑛𝑡𝑒̈ 𝑝𝑒̈𝑟𝑝𝑎𝑟𝑎 𝑝𝑒̈𝑟 𝑛𝑑𝑒𝑟 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑔𝑗𝑖𝑡ℎ𝑒̈𝑣𝑒𝑡. 𝑀𝑢𝑛𝑑𝑖𝑚𝑒𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑎, 𝑉𝑖𝑠𝑎𝑟, 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑙𝑢𝑓𝑡𝑢𝑎𝑟𝑖𝑡 𝑒 𝑓𝑎𝑞𝑒𝑧𝑖𝑛𝑗𝑣𝑒𝑡 𝑔𝑟𝑒𝑘𝑜𝑚𝑎𝑛𝑒̈ 𝑔𝑗𝑒𝑟 𝑠𝑎 𝑚𝑏𝑎𝑟𝑢𝑎𝑚 𝑘𝑒̈𝑡𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑠ℎ𝑒𝑛𝑗𝑡𝑒̈𝑟𝑢𝑎𝑟𝑒̈ 𝑝𝑢𝑛𝑒̈ 𝑗𝑎𝑛𝑒̈ 𝑎𝑞𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑠𝑎 𝑛𝑢𝑘 𝑚𝑢𝑛𝑑 𝑡’𝑢𝑎 𝑠ℎ𝑘𝑟𝑢𝑎𝑛𝑗 𝑛𝑑𝑒̈ 𝑘𝑎𝑟𝑡𝑒”, do t’i shkruante më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko atdhetarit dhe publicistit Visar Dodani në Bukuresht, fill pas hapjes së Mësonjëtores së Parë Kombëtare Shqipe.  

Mësonjëtorja e parë shqipe, e cila u hap më 7 mars 1887 ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar) ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe dhe që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët.

Sot 135 vite pas krijimit, historiani Ardit Bido thotë për Gazetasi.al se kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë.

“Data 7 mars është një nga ditët më të shenjta të kombit tonë të vogël, por me histori të madhe. Është dita kur u legjitimua për herë të parë hapja e shkollës shqipe, çka i hapi rrugën zhvillimit të arsimit kombëtar. Hapja e kësaj shkolle u arrit të sigurohej me anë të një fermani (dekreti) nga sulltani, që ishte një punë e jashtëzakonshme e shoqërisë së të shtypurit shkronjave shqip në Stamboll. Gjuha shqipe mësohej në fshehtësi të plotë deri në këtë kohë. Autoritetet osmane e ndalonin mësimin e gjuhës shqipe me anë të çdo forme”, shprehet Bido për Gazetasi.al, ndërsa shton se “kjo datë është legjitimiteti i shqipes në rang institucional”.

Bido thotë se kjo datë lidhet me hapjen ligjërisht të shkollës së parë shqipe dhe që sot festohet si dita e mësuesit dhe e ka marrë këtë peshë rreth viteve ’50.

“Në vitet ’50 u caktua që 7 marsi do të ishte dita e mësuesit dhe përkujtimi i të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre në arsimin kombëtar”, vijon më tej Bido.

Drejtori i parë i shkollës ishte patrioti Pandeli Sotiri, i cili arriti të regjistronte një numër të madh nxënësish.

“Edhe pasi u hap, autoritetet osmane dhe kisha greke bënë një propagandë për ta ndaluar këtë gjë. Kontribuues të tjerë ishin Thanas Sina dhe Petro Nini Luarasi si dhe patriotë të tjerë të Rilindjes Kombëtare që kontribuuan me tekste apo me mundësi të ndryshme për të lehtësuar sa më shumë veprimtarinë e kësaj shkolle”.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës do të qëndronte hapur për gati 15 vjet.

“Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindësit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë. Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike”.

Më tej, ai thotë se “të dy drejtuesit e shkollës janë dekoruar me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor me titullin ‘Mësues i Popullit’ në vitin 1961”.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë përgatitore. Fillimisht lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë