Histori

7 Mars 1887 u çel Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë

Më 7 mars të vitit 1887 u hap në Korçë Mësonjëtorja e parë kombëtare shqipe. Mësues dhe drejtor i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Lidhur me këtë ngjarje të shënuar, më 8 mars 1887, patrioti i shquar Thimi Marko i shkruante me gëzim Visar Dodanit në Bukuresht:

“… Msoni Visar që gjer sot dëshira t’onë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që vumë në dhet këtu e dy vjet, sot lulëzoj dhe dha pemë të ëmbla. Gëzoju se dje u hap dhe u shkruan djem mësonjëtorë 35. Zot’ i jetës, o vëlla, e bekoftë dhe e shpëntë përpara për nder të të gjithëvet. Mundimet tona, Visar, dhe të luftuarit e faqezinjvet grekomanë gjer sa mbaruam këtë të shenjtëruarë punë janë aqë shumë sa nuk mund t’ua shkruanj ndë kartë”.

Edhe pse në kushte të vështira, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet, përgjatë të cilit kapërceu pengesat e krijuara nga kleri dhe nga pushtuesi osman. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin lidhet me dëshirën e zjarrtë të tyre për të përhapur dijen në mesin e popullit. Rilindasit dhe patriotët shqiptarë u bënë gjithashtu nismëtarë për hartimin e teksteve të para shkollore për nxënësit shqiptarë.

Ata punuan me përkushtim edhe për pajisjen e shkollës me mjetet e duhura didaktike. Nxënësit që mësuan në këtë shkollë kombëtare u edukuan me frymën e patriotizmit. Ata u bënë pasuesit e denjë të ideologjisë kombëtare dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi.

Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar. Për shkak të sundimit osman, deri në këtë periudhë, mësimdhënia kryhej në mënyrë të fshehtë. Që nga ajo ditë, 7 marsi njihet si dita e mësuesit dhe kremtohet nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Nga Poezia e Naim Frashërit kushtuar çeljes së Mësonjëtores Shqipe të Korçës

O vëllezër shqipëtarë

Gëzohi! që erth kjo ditë,

Kaq’ e mir’ e kaq’ e mbarë

Që sjell gjithë mirësitë.

Hapu, hapu errësirë,

Pa jakë tëhu o dritë!

Se arriti koh’ e mirë,

U gdhi nata u bë ditë

Lumja ti moj Korç’ o lule!

Q’i le pas shoqet e tua

Si trimi në ball u sule,

Ta paçim për jetë hua

Arkivi Qendror i Shtetit boton lejen zyrtare të posaçme për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887-n. Po ashtu, një foto e nxënësve të Mësonjëtores në vitin shkollor 1899 dhe një foto e Naum Veqilharxhit. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë