Njerez

67 vjet pa Hafiz Ali Korçën, teologun dhe patriotin e shquar shqiptar

Gazeta “SI”- Më 7 janar 1957 u nda nga jeta Hafiz Ali Korça, një nga figurat më të rëndësishme të mendimit fetar, arsimor dhe atdhetar shqiptar, i cili la gjurmë të thella në historinë kulturore dhe kombëtare të vendit.

Ali Korça lindi në vitin 1866 në qytetin e Korçës, në familjen e Iljas efendiut. Arsimin fillestar e mori në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll. Pas kthimit në Shqipëri, ai u angazhua në arsimin kombëtar, duke dhënë mësim në shkollën shqipe të Korçës, ku ligjëroi gjuhën osmane, matematikën dhe drejtshkrimin e gjuhës turke.

Njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, si arabishtja, persishtja, osmanishtja dhe frëngjishtja, Hafiz Ali Korça u emërua në vitin 1890 mësues në shkollën rushdije të Korçës, ndërsa më pas vijoi punën në shkollën idadije, ku dha lëndët gjeografi dhe matematikë. Në vitin 1903 ai u transferua në Anadoll, ku shërbeu si mësues i gjeografisë dhe historisë në shkollën idadije të Spartës.

Ai ishte pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe në Kongresin e Dibrës më 1909, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në çështjet kombëtare. Në vitin 1914 mbajti fjalim në gjuhën frënge me rastin e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri. Ndërsa gjatë vitit 1916 shërbeu si drejtor i zyrës së arsimit për Tiranën, Durrësin dhe Shqipërinë e Mesme.

Në periudhën 1918–1924, Hafiz Ali Korça ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit, duke ushtruar ndikim të konsiderueshëm në jetën fetare dhe institucionale të vendit. Pas vendosjes së regjimit komunist, për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të tij, ai u përndoq, u burgos dhe u internua. Vitet e fundit të jetës i kaloi në vetmi në Kavajë, ku u shua më 7 janar 1957.

Trashëgimia e tij përfshin një veprimtari të pasur letrare dhe fetare, mes së cilës spikasin përkthimi i Kuranit, “Mevludi”, “303 fjalë të Imam Aliut”, “Jusufi me Zelihanë”, “Rubairat”, “Bolshevizma a shkatërrimi i njerëzimit”, “Historia e shenjtë dhe katër kalifët”, si dhe vepra të tjera me vlerë të veçantë për kulturën shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë