Ministria e Shëndetësisë raporton se pasditen e së enjtes kanë ndërruar jetë dhe dy persona të tjerë të prekur nga virusi Covid-19, duke e çuar në 41 numrin në total të viktimave në vendin tonë.
Ka ndërruar jetën në Spitalin Infektiv nga disfunksioni kardio-respirator, një pacient 67-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19 që po trajtohej prej 2 javësh. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe alzheimer.
Më herët, po në spitalin infektiv ndërroi jetë nga COVID19 një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Nga fillimi i epidemisë, 41 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19.
Më herë Ministria njoftoi ka ndërruar jetë një pacient 67 vjeç nga Shkodra i cili vuante nga isuficenca kardiake dhe kishte disa ditë në terapi intensive, ndërkohë janë konfirmuar 66 raste të reja.
Mirela Cami, drejtore e Operatorit të shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, ka deklaruar se nga rastet e konfirmuara janë 32 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 7 në Vlorë, 6 në Durrës, nga 3 raste në Shkodër dhe Fier, nga 1 rast përkatësisht në Tropojë, Lezhë, Elbasan. Sipas Camit, rastet janë kontakte të personave të prekur më parë, por edhe vatra të reja.
“Aktualisht në shërbimin infektiv po trajtohen 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë. Nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëjme apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara”, tha ajo. Ministria e Shëndetësisë thotë se maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. “Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve,” ka shtuar Cami.
Më tej ekspertja ka bërë me dije se nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes duhet të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare dhe nëse kanë nevojë për barna të rimbursueshme të kontaktojnë me mjekun e familjes.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 326
Durrës 132
Shkodër 111
Vlorë 42
Fier 24
Elbasan 9
Korçë 7
Lezhë 5
Kukës 5
Gjirokastër 1
Berat 1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




