Nga Gazeta ‘SI’ – Buxheti për arsimin nxiti diskutime dhe debate në komisionin e Ekonomisë.
Ministrja e Arsimit dhe Sporteve, Ogerta Manastirliu u përball me kritikat e demokratëve.
Jorida Tabaku kërkoi që qeveria t’i japë prioritet degëve që përshtaten me tregun e punës dhe theksoi nevojën që ka kjo fushë për financim.
Sipas saj, mbështetja buxhetore është 2.54% e PBB dhe shqetësimi më i madh është sot për treguesit në rënie adresuar këtij sektori.
“Sot kemi një rënie reale sipas raportit PISA-s të numrit të nxënëse në shkolla që është një faktor demografik p.sh arsimi parashkollor ka një rënie 7.8%, 3.8% rënie parauniversitari, ndërsa nga ana tjetër 73% e të gjithë punë kërkuesve janë studentë që kanë mbaruar studimet dhe angazhohen në punë jashtë profilit të tyre”, tha Tabaku.
Deputetja e opozitës Emilja Koliqi, i tha ministres se “buxheti për arsimin është shumë larg premtimeve elektorale, që parashikonte të ishte 5% e PBB, ndërsa ajo zë sot vetëm 2.54% të PBB-së“.
Koliqi vuri në dukje se, gjithashtu edhe propaganda e madhe që u bë për ligjin e ri, për kërkimin shkencor, rezultoi me një buxhet shumë të ulët 0.06% të PBB. Ky tregues vijoi ajo, është shumë larg standardeve të BE që financon 2.2% të PBB për këtë sektor.
Duke iu referuar të dhënave të Censit, ajo vuri në dukje se, janë 48 mijë shqiptar që nuk dinë të shkruajnë dhe lexojnë dhe se gjendja e arsimit paraqitet edhe më e rëndë në zonat e thella rurale ku arsimi lë shumë për të dëshiruar si në aspektin e infrastrukturës por edhe pjesëmarrjes në mësim.
Në fjalën e saj, ministrja tha se në universitete janë hapur degë të reja që përmbushin kërkesat e tregut të punës, por edhe mbështetje për programe që lidhin studentët me bizneset, për të nxitur punësimin dhe inovacionin.
Ajo shtoi se në 2025-n qeveria do të mbështesë studiuesit e ciklit të tretë të studimeve, që zgjedhim programet prioritare, që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit dhe inovacionit.
Ministrja shpjegoi se për vitin që vjen do të rritet numri i mësuesve ndihmës, pasi ka nevoja, sidomos në kuadrin e nxënësve me aftësi të kufizuara, TIK, teksa parashikohen 2100 mësues të rinj ndihmës në të gjithë vendin.
“Do të kemi 850 punonjës psikosocial në shkolla. Siguria e fëmijëve në shkolla është prioritet, do të ketë 240 punonjës oficerë sigurie në shkolla, me shtim të punonjësve dhe me 300 mln lekë fond për këtë pjesë. 3200 punonjës mbështetës me kontratë të përkohshme me kosto 231 mln lekë. 640 koordinatorë dhe për këshillin të karrierës, si mësues mbështetës. Programi me tekstet shkollore falas për mbi 200 mijë nxënës, si dhe mundësimi i transportit mbi 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues që punojnë e mësojnë larg vendit të banimit, me mbështetje 1,2 mld lekë”, tha Manastirliu.
Manastirliu shtoi se janë 3800 nxënës, ku bashkë me pushtetin vendor do ndihmohen financiarisht, me 3800 bursa. Sikurse programe jashtëshkollore dhe aktivitete, si pjesë e axhendave të reformave të BE-së. Do të ketë trajnim të vazhdueshëm edhe për mbi 60 mijë mësues në të gjithë vendin me fonde të caktuara nga buxheti dhe kurikula me programe të reja sipas draftdokumentit të miratuar.
“Mbi 2 mld mbështetje për arsimin parauniversitar, si objektet dhe infrastrukturave shkollore. Kantiere në 40 shkolla, si dhe infrastruktura sportive dhe pajisja e tyre me fond 240 mln lekë të parashikuara buxhet. 80 laboratore të shkencave të rinj me fond 240 mln lekë vlerë buxheti të shtuar. 654 laboratorë smart në shkollat tona përgjatë 2025-2027 dhe investimi në laboratorë dixhitalë”, tha ministrja.
Ajo detajoi se edhe arsimi i lartë do ketë mbështetje me programe dhe buxhet mbi 14 mld lekë, kurse me fondet e tjera shtesë që parashikohen ky buxhet shkon në mbi 18 mld lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.