Sociale

61 të infektuar, Kosova ndalon lëvizjen e qytetarëve. Përplasen Thaçi-Kurti

Pas rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve, qeveria e Kosovës ka marrë masa të ashpra për të ndaluar lëvizjen e qytetarëve

Ndërkohë që numri i të infektuarve ka arritur në 61, qeveria ka ndaluar daljen e qytetarëve nga ora 10:00 deri në orën 16:00

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit qarkullimi do të ndalohet po ashtu edhe nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

“Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private do të ndalohet në oraret e mësipërme, përveç për nevoja mjekësore, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe ilace për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (shëndetësi, siguri dhe administrata shtetërore)”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Edhe në orët kur mundësohet lëvizja në rrugë, nuk do të lejohet që më shumë se dy persona lëvizin së bashku, gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka vendosur ndalimin e të gjitha tubimeve dhe grumbullimin e njerëzve në mjediset private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura.

Sidoqoftë, ky vendim është konsideruar anti- Kushtetutës nga presidenti Hashim Thaçi.

Thaçi ka kundërshtuar kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Gjatë një konference për media, ai tha se kufizimi i lirisë së lëvizjes mund të bëhet vetëm nëse paraprakisht shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Sipas Thaçit, kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, e kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, vendimi për kufizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve paraqet shkelje të lirive që garantohen me Kushtetutë.

Presidenti citoi nenin 56 të Kushtetutës së Kosovës dhe u bërë thirrje qytetarëve të mos i respektojnë masat e vendosura nga qeveria.

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojë vendimet anti-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim anti-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, ka thënë Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë