Lajme

6 raste të reja. 67% e 795 të prekurve, të shëruar. Kruja kalon Tiranën me shifra

Sot janë raportuar 6 raste të reja të konfirmuara me Covid-19, ndërkohë Gentiana Qiriako, nga ISHP bën me dije se 67% e personave të prekur janë të shëruar. Nga rastet e reja, 1 është regjistruar në Tiranë dhe 5 rastet e tjera janë në Krujë dhe Kurbin, duke çuar në total numrin e të prekurve në 795.

Qirijako tha se gjatë 24 orëve të fundit është identifikuar një zonë me risk të ulët për transmetimin e infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531, ndërsa pjesa e të prekurve aktiv është më së shumti asimptomatikë.

“Pjesa më e madhe e rasteve aktive po ndiqen nga mjeku i familjes, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 33 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive. Ky është një tregues i rëndësishëm që evidenton faktin që masat e marra kanë bërë të mundur që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet dhe të përballojë me sukses rastet të cilat kanë pasur nevojë për trajtim të specializuar në spitale,” shpjegon Qirijako.

Ndërsa, shpërndarja gjeografike e rasteve aktive, është si vijon:

Krujë 91 raste

Tiranë 90 raste

Kurbin 20 raste

Shkodër 17 raste

Kukës 5 raste

Elbasan 2 raste

Mirditë 2 raste

Berat 2 raste

Korçë 1 rast

 Lezhë 1 rast

Lushnje 1 rast

Mat 1 rast.

Qirijako deklaroi edhe një herë se sot janë në fuqi masat lehtësuese si lëvizja për të moshuarit, deri në orën 10:00, për prindërit me fëmijët deri në moshën 14 vjec .

“Pavarësisht se nga e hëna do të ketë një lehtësim tjetër të masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, ndërkohë që bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka shtuar një shërbim të ri në linjën e gjelbër 0800-40-40, duke ofruar këshillim psikologjik për qytetarët që kanë ankth apo shqetësime të tjera si pasojë e COVID19. ,” shpjegoi Qirjako, ndërsa theksoi se  nëse qytetarët  kanë  shenja të sëmundjes të telefonojnë numrin 127.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë