Lajme

6 raste të reja, 2 të shëruar. 59% e të infektuarve janë meshkuj

Në vendin tonë janë shtuar edhe 6 raste të reja me COVID-19. Eugena Tomini shefe e shërbimit epidemiologjik në ISHP, tha se 5 persona ishin nga Tirana dhe ishin kontakte të rasteve pozitive, ndërsa 1 është nga Fieri. Ekspertja tha se në total janë testuar 778 raste të dyshuara dhe kemi 76 raste të infektuar.
Tomini deklaroi se 59 për qind e të prekurve janë meshkuj dhe 41 për qind janë femra, ndërsa epiqendra e pacientëve më të shumtë mbetet në Tiranë me 55 persona, ndërkohë shpërndarja gjeografike vijon si më poshtë:

Durrës 5

Lushnjë 2

Elbasan 2

Fier 8

Rrogozhinë 2

Kavajë 2

Tomini deklaroi edhe një herë që tashmë kemi 2 persona të shëruar dhe do të qëndrojnë edhe 14 ditë të tjera në vetëkarantinim, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Gjithashtu 2 kane humbur jetën. Ndër të tjera Tomini bëri me dijë se, në Spitalin Infektiv ndodhen 37 pacientë të shtruar dhe 4 prej tyre janë në terapi intensive.
“Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19. Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor. Mënyra e vetme për ta ndërprerë këtë zinxhir është që qytetarët të vetizolohen dhe të shmangin sa më shumë kontaktet. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet edhe një herë me një lutje qytetarëve: Mos shkoni menjëherë në spital! Ministria ka vënë në dispozicion një linjë të gjelbër FALAS 0800 40 40 për çdo qytetar që kërkon informacion apo këshilla në lidhje me COVID-19,” deklaroi Tomini, ndërkohë që përsëriti apelin për të qëndruar në shtëpi.

Ndër të tjera Tomini është shprehur se grup moshat e prekura, fillojnë nga ato aktive deri tek mosha e tretë, por sipas saj ditët e fundit vihet re një rritje numri i grupmoshës mbi 65 vjeç.  Epidemiologia bëri me dije gjithashtu se në karantinën shtetërore ndodhen personat të cilët kanë kontakt të ngushtë me pacientët e prekur. Ajo tha se personat që janë aktualisht në karantinë nuk kanë rezultuar me COVID-19, por po monitorohen.

Për sa i përket medikamenteve që po përdoren për personat e infektuar, Tomini tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka siguruar medikamentet bazë për trajtimin e pacientëve, duke u mbështetur në protokollin e hartuar nga Shërbimi Infektiv në QSUT. Sipas saj ky trajtim mbështet në protokollin klinik, pra trajtohen shenjat klinike dhe preparatet antivirale.

Tomini deklaroi gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i është drejtuar të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për mbështetje, për sa i përket pajisjeve mbrojtëse  personale dhe mjekësore në kuadër të mbështetjes së COVID-19, ndërkohë që spitali “Shefqet Ndroqi” i cili do të kthehet në një spital për trajtimin e pacientëve me COVID-19, ka kapacitet prej 190 shtretërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë