Në korrik të një viti më parë, gjyqtarja Mimoza Margjeka vendosi të rrëzojë kërkesën e Valbona Sakos për të marrë asokohe mandatin e kryebashkiakes së Durrësit, duke i argumentuar si nul zgjedhjet e 30 qershorit për Bashkinë e Durrësit.
Emri i gjyqtares u përfol gjatë në disa media, duke rrëmuar të dhëna deri edhe për bashkëshortin e saj që sipas do raportimeve merrte pjesë rregullisht në protestat e PD.
Të mërkurën emri i Mimoza Mergjekës u soll sërish në vëmendje. Kësaj here nga një njoftim zyrtar i shpërndarë nga SPAK apo e thënë ndryshe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas këtij njoftimi, gjyqtares Mimoza Margjeka i është komunikuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.
SPAK ka argumentuar në njoftimin e saj edhe arsyet se pse. Sipas SPAK, në kuadër të hetimeve të kryera është bërë i mundur evidentimi dhe dokumentimi i një aktiviteti korruptiv në sistemin e drejtësisë.
“Konkretisht ka rezultuar se shtetasit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj (me profesion avokat), në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, duke i dhënë shtetases Mimoza Margjeka, me detyrë gjyqtare, aktualisht e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, shtetasit Arben Cara, një shumë prej 6.000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm”.
Sipas njoftimit të SPAK, “kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit, nga “arrest në burg” në “garanci pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga ‘arrest në burg’ në ‘garanci pasurore’, për këtë shtetas”.
Për këtë arsye, ndaj shtetasve Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg” . E njëjta masë sigurie edhe për bashkëshortin e gjyqtares, Arben Cara. Ndërsa avokati tjetër Skënder Demiraj, i dyshuar edhe ai për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, është vendosur në arrest shtëpie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




