Nga Gazeta Si- Edhe pse buxheti për arsimin është rritur, ministria e Arsimit ka vendosur të ulë pagën për 6500 mësues të ciklit të ulët dhe të parashkollorit, duke u bërë “dhuratë” për 7 mars vendosmërinë për të mos e ndryshuar këtë fakt.
Mësues dhe sindikalistë kanë denoncuar diferencimin e pagës për 6500 mësues të ciklit të ulët dhe edukatorë që janë diplomuar në vitet ‘92-‘98 në universitetet e rretheve, ish-institutet e dikurshme. Asokohe vitet e plota të studimit për mësuesi në rrethe ishin 3 vjet, edhe pse kanë mbaruar shkollën e lartë për mësuesi, sot ministria ua njeh dhe ua vlerëson financiarisht si cikël i parë “bachelor”, pa master, gjë që ka sjellë ulje të pagës së tyre më mbi 5 mijë lekë.
Ndërkohë, nga qershori i 2024, kur u bë rritja e pagave të arsimtarëve, vijojnë negociatat e mësuesve me ministrinë e cila tashmë ua ka bërë të qartë mësuesve se nuk do ketë ndryshime.
Isa Halilaj, zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve shpjegon për Gazetasi.al se ka një ndryshim në VKM për pagën e grupit.

“Një mësues kur ka kualifikimin e plotë paguhet me 18 mijë lekë të reja. Këtë e kanë përfituar gjithë mësuesit me arsimin e lartë. Në muajin qershor me VKM-në e re na ka dalë një problematikë, kemi mësuesit që kanë përfunduar arsimin për ciklin e ulët që kanë përfunduar sistemin 3-vjeçar deri në 2000. Se ashtu ka qenë sistemi. Këta mësues trajtohen si Bachelor. Nuk mund të quash të tillë një mësues që ka përfunduar ciklin në vitin 1992, se ai ishte cikël i mbyllur arsimor. Ata që janë me Institut si në Shkodër e fitojnë pagën, ata që janë në universitete si në Gjirokastër nuk e përfitojnë, pavarësisht se mund të kenë përfunduar të njëjtën degë, të njëjtën periudhë dhe të njëjtin vit”, shpjegon Halilaj i cili thotë se prej asaj kohe kanë qenë në diskutime me Ministrinë pasi ky ndryshim është parë si një lapsus por deri më tani nuk kanë marrë asnjë zgjidhje, edhe pse u është thënë se shqetësimi i tyre është i drejtë.
“Nuk është bërë transparencë dhe parimisht nuk e kundërshton askush, se ti ke punuar 30 vite je “Mësues Mjeshtër” dhe më pas nuk e vlerëson pas 30 vitesh dhe ti thuash je me Bachelor, ndërkohë që në vitin 1992-1993, nuk kishte mundësi që ky mësues të vazhdonte studimet më lartë se nuk kishte”, thotë zv/presidenti i sindikatës së mësuesve, duke shtuar se përveç pagës, mësuesve po u vihet në diskutim edhe diploma e tyre, si dhe puna e gjithë këtyre viteve.
Halilaj thotë se cikli i mbyllur është cikël i mbyllur dhe nuk mundesh që pas 25 vitesh ti thuash një mësuesi që je Bachelor, në një kohë që Bachelor nuk është cikël i mbyllur dhe diçka e tillë ndikon menjëherë edhe në vendin e punës së tyre, duke i rrezikuar.
“Nuk na është bërë e qartë pse ka ndodhur kjo, nëse ka pamundësi nga buxheti sepse e kemi vetëm 2.4% e GDP”, tregon Halilaj i cili e sheh buxhetin për arsimin si të pamjaftueshëm dhe nëse nuk investohet 5 për qind e PBB në arsim, “ne asnjëherë nuk do të kemi rezultate në drejtim të arsimit dhe shkencës”.
Për të dhënë një shembull, Halilaj tregon se mësuesit paguhen vetëm 300 lekë për orët supementare, një pagesë që duhej të ishte më shumë se dyfishi.
Problematikat sjellin edhe mungesë preference për degën e mësuesisë
Halilaj tregon se të gjitha problematikat në arsim bëjnë që cdo vit të ketë mungesa studentësh në mësuesi dhe me këto ritme, brenda 4-5 vitesh Shqipëria do të jetë në mungesë ekstreme të mësuesve.
“Edhe mësuesit që janë tani janë në moshë të madhe dhe kjo tregon sa e rëndë është situata dhe sa e nevojshme është ndërhyrja”. Por jo ndërhyrje që janë bërë deri më tani, ku mund të përmendim heqjen e mësuesve nga sistemi.
Halilaj tregon se me gjithë mungesën e mësuesve në Tiranë por edhe në rrethe, ministria përsëri ka marrë vendimin për të hequr mësues nga puna sepse nuk ka nxënës.
“Di dy raste, një mësuese e re dhe një mësues në moshën 35-40 vjeçar. Të dy i nxorën nga sistemi dhe i lanë pa punë sepse nuk kishte nxënës në shkollën ku punonin”, tregon Halilaj.
Të gjitha këto kanë bërë që mësuesit të ndjehen të lënë pas dore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.