Politike

PS shton me 56 firma “Xhaferllarin” tek llogaria e Metës ne Komisionin Hetimor

Partia Socialiste konkretizon nismën për zgjerimin e hetimit ndaj presidentit Meta, duke futur si shkelje edhe dekretimin e Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtuetuese. Me firmat e 56 deputetëve të mazhorancës, është paraqitur kërkesa për të zgjeruar gamën e hetimit të presidentit, duke futur në komisionin aktual dhe shkeljen për emërimin e anëtares, veç anulimit të datës së zgjedhjeve. Kërkesa e grupit parlamentar të PS-së do të diskutohet të martën në konferencën e kryetarëve, ku kryeparlmaentari Gramoz Ruçi e ka thirrur pikërisht për këtë çështje.

Në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit Ruçi dhe që mban firmat e të gjithë deputetëve të grupit, socialistët kërkojnë të bëjnë një shtesë në objektin e Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e Presidentit dhe lidhet pikërisht me dekretimin e Marsida Xhaferllarit nga Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas socialistëve, dekretimi i Marsida Xhaferllarit nga Presidenti Meta është në kundërshtim me ligjin. "Kjo situatë e krijuar cënon dhe ligjshmërinë e vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, ku Znj. Xhaferllari do të jetë pjesë, pasi subjektet që i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë sigurinë që po gjykohen nga gjyqtarë të caktuar sipas ligjit. Paligjshmëria e emërimit te Znj. Xhaferllari si gjyqtare kushtetuese krijon pasiguri tek subjektet dhe u jep shkas atyre të kërkojnë pavlefshmërinë e vendimeve në rast se çmojnë që vendimet përkatëse nuk kanë realizuar rivendosjen e të drejtave të tyre pretenduara të cenuara. Padyshim, që kjo është një situatë që vë në pikëpyetje dhe integritetin e gjyqtarit kushtetues dhe vendimmarrjes kushtetuese si dhe cenon mirëfunksionimin e vetë Gjykatës Kushtetuese", thuhet në kërkesën e firmosur nga 56 deputetët e mazhorancës.

Faksimile e kerkeses se 56 deputeteve te mazhorances. Gazeta Si, 25 nentor 2019

Për këtë mazhoranca e cilëson presidentin Meta se me veprimet e mos veprimet e tij po tenton të pengojë reformën në drejtësi, ashtu si mori tentativa për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. "E gjithë sa më sipër është një situatë që pengon zbatimin e Reformës në Drejtësi duke cenuar pavaresinë e Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtareve të kësaj Gjykate. Vleresojmë se sa më sipër përbëjnë shkelje shumë të rënda të Kushtetutës dhe ligjit të kryera nga Presidenti i Republikës, sipas nenit 90, pika 2 i Kushtetutës, të cilat duhet të shtohen në objektin e punës dhe planin hetimor të Komisionit Hetimor që po shqyrton kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e Presidentit, pasi përbëjnë jo vetëm shkelje të rënda, por edhe të përsëritura në vijimësi nga Presidenti", thuhet në kërkesë.


Ky veprim i Presidentit në këtë kërkesë cilësohet si në tejkalim të kompetencës kushtetuese dhe ligjore, ka sjellë dhe pasoja të rënda për legjitimimin e fillimit të funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, pasi aktualisht në këtë Gjykate rezulton se ka filluar detyrën, Marsida Xhaferllari, e cila për PS-në ka marrë një mandat të paligjshëm si gjyqtare kushtetuese.

"Përvec sa më siper, rezulton se znj. Arta Vorpsi e cila ka fituar në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, në daten 07.11.2019, mandatin e gjyqtarit kushtetues, nuk është ftuar nga Presidenti për ceremoninë e betimit, (kusht për fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues sipas nenit 129 të Kushtetutës) dhe Presidenti publikisht ka deklaruar se nuk e njeh gjyqtaren kushtetuese në këtë funksion. Në këtë rast, Presidenti po refuzon të zbatojë një detyrim ligjor e kushtetues, që përben një abuzim me pushtetin që i ka ngarkuar Kushtetuta", thuhet më tej në këtë kërkesë. E për këtë arsyetimet për shkeljet ligjore e kushtetuese në lidhje me refuzimin e kryerjes se betimit të Arta Vorpsi sipas PS-së janë: ështc cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues teëushtrojë detyrën; është shkelur detyrimi kushtetues për të realizuar betimin e gjyqarit kushtetues; është cenuar funksionaliteti i vendimmarrjes së Gjykates Kushtetuese dhe katërta është cenuar e drejta e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues brenda afateve të arsyeshme.

Arsyet e zgjerimit të hetimit të komisionit dhe shtimi i shkeljeve

Është dekretuar një gjyqtar kushtetues në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjin. Në mungese të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti, në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në një proces kushtetues.

Presidenti ka ushtruar kompetenca të Këshillit të Emërimit në Drejtesi, duke i veshur vetes atribute të organeve te qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Është cenuar e drejta e subjekteve për te patur një proces të rregullt gjykimi kushtetues, në kushtet kur do të gjykohen nga gjyqtar kushtetues me mandat te paligjshëm.
Është cenuar funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë