Nga Gazeta “SI” – Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët nga sundimi i huaj.
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mat. U mor peng si nizam pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit që përgatiste komandantë e nëpunës.
Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti “(Skënderi)” kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli “Bej” që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik.
Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t’i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi “Sanxhakbej” jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t’u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, ku së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.
Ishte Dhimiter Frângu ai që shkroi i pari jetën e Skënderbeut, duke qënë bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar.
Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.
Papa Gjon Pali II do ta përkujonte kështu Gjergj Kastriotin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993.
“Është detyrë të kujtojmë në këtë rrethanë heroin kombëtar e të krishterin e flaktë, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, “mbrojtësin e Jezu Krishtit”, i cili këtë vit (1993) kishte 525 vjetorin e vdekjes. Si në kohët e tij shumë të vështira, Kisha edhe sot nuk do të mungojë të ofrojë kontributin e vet të mundshëm për zhvillimin e plotë material e shpirtëror të popullit shqiptar”. Ndërsa në fjalimin e tij në Sheshin Skënderbe në Tiranë me 23 prill 1993 Ati i Shenjtë Karol Vojtila duke u fol shqiptarëve mes tjerash theksoi: “Sa herë në të kaluarën ju është dashur të mbroni me forcë identitetin tuaj. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shqua figura e lartë e të krishterit Gjergj Kastrioti Skënderbeut, i respektuar nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e popullit shqiptar” deklaroi Ati i Shenjtë.
Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, dhe u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.
Emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj gjithashtu Gjergj Kastrioti Skënderbeu mban titullin “Hero Kombëtar” që nga viti 1965, titulli më i lartë dhe i vetëm që mban një shqiptar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.