Në 24 orët e fundit janë shtuar 52 raste të reja me Covid-19, ndërsa në total janë 807 raste aktive.
Rovena Daja nga ISHP tha se qytetarët dhe bizneset duhet të zbatojnë masat e vendosura sipas protokolleve të sigurisë sepse virusi ka ende tranmetueshmëri të lartë.
Më tej mjekja deklaroi se ka sërish shtrime të reja në Spitalin Infektiv ku po trajtohen 81 pacientë dhe 11 prej tyre janë në terapi intensive. Ndërsa shpërndarja e rasteve pozitive gjatë 24 orëve të fundit vijon 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.
“Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, duke e çuar në 1195 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Nisur nga rastet pozitive ditore kryesisht në ndërmarrjet me shumë punëtorë dhe kontakte në vendet e punës, i bëjmë thirrje edhe një herë bizneseve të respektojnë protokollet e sigurisë, distancimin fizik, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e maskave kudo ku ofrohet shërbimi për qytetarët. Me rihapjen e transportit publik është domosdoshmëri mbajtja e maskës nga të gjithë, ata në shërbim dhe përdoruesit e transportit publik, dezinfektimi i mjeteve të transportit etj. Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve,” deklaroi Daja.
Mjekja rikujtoi edhe një herë masat për qytetarët, që të mos prekin fytyrën, të ruajnë distancën në ambientet publike, të mbajnë maskë mbrojtëse dhe të shmangin grumbullimet. Gjithashtu shpjegoi edhe një herë se nëse qytetarët kanë shenja të sëmundjes duhet të telefonojnë numrin 127 të urgjencës kombëtare, ndërsa nëse kanë nevojë për këshillim psikologjik të telefonojnë mjekun e familjes në numrin 0800 40 40 dhe të shmangin kontaktet me institucionet shëndetësore.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 374
Durrës 152
Shkodër 124
Vlorë 63
Fier 37
Lezhë 20
Korçë 17
Elbasan 10
Kukës 7
Gjirokastër 2
Berat 1
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




