Vrasja dhe varrimi i Konstandinos Kaçifasit nëBularat, vazhdon t’i mbajë marrëdhëniet politike mes Greqisë dhe Shqipërisë të pastabilizuara.
Ministria e Jashtme greke ka kërkuar shpjegime lidhur me shpalljen e 52 shtetasve grekë “non grata”, mbas ngjarjeve të ndodhura gjatë ceremonisë së varrimit të Kacifasit.
“Në këtë moment delikat, presim prej Shqipërisë të largohet prej veprimeve që rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe. Presim sqarime të bazuara për shpalljen masive të 52 grekëve “non grata” prej autoriteteve shqiptare. Mbetemi të vendosur në ndërtimin e marrëdhënieve të besimit, dhe të njëjtën gjë, presim edhe prej fqinjëve tanë”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ministrisë së Jashtme greke.
Ditën e djeshme, policia shqiptare shoqëroi në komisariatin e Gjirokastrës 12 persona, mes të cilëve, disa do të procedohen në gjendje të lirë për shkak të nxitjes së urrejtjes dhe dhunës me thirrje të ndryshme anti-shqiptare në Bularat.
Ndërkohë, ditën e sotme, zëvendës ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, të parën deklaratë për media që nga marrja e detyrës me kompetenca ministri, ai komunikoi shpalljen persona “non grata”, ose të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi. Lleshi i cilësoi thirrjet anti-shqiptare në Bularat si një provokim i rëndë në dëm të shtetit shqiptar.
35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.
Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.
Kështu pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




