Gazeta “SI”- 51 vjet më parë, më 15 janar 1975, në Romë u shua Ernest Koliqi, një nga figurat më komplekse dhe më të diskutueshme të kulturës shqiptare. Shkrimtar, poet, romancier, eseist, përkthyes, studiues, pedagog universitar, publicist dhe politikan, Koliqi mbetet një nga themeluesit e tregimit modern shqiptar dhe një prej mendjeve më të ndritura të elitës sonë kulturore, për dekada të tëra , i mohuar nga atdheu.
I lindur më 20 maj 1903 në Shkodër Ernest Koliqi u rrit në një mjedis ku tradita, arsimi dhe fryma kombëtare përbënin shtyllat e formimit shpirtëror. Ai vinte nga një familje e njohur shkodrane, me rrënjë në Dukagjin, dhe që në moshë të re u formua në Kolegjin Saverian të jezuitëve, ku u njoh me disiplinën mendore dhe kulturën klasike perëndimore.
Studimet e mëtejshme në Itali, në Brescia, Bergamo dhe më pas në Padova, i hapën horizontin drejt letërsisë evropiane. Në këto vite ai botoi poezitë e para në italisht dhe u përfshi aktivisht në jetën intelektuale të rinisë. Kthimi në Shqipëri pas vitit 1920 shënoi një kthesë të rëndësishme. Nën ndikimin e Luigj Gurakuqit, Koliqi u përvetësua thellësisht me gjuhën shqipe dhe u lidh me rrethin më të përparuar të mendimit kombëtar.
Në letërsi, Ernest Koliqi, bashkë me Mitrush Kutelin, konsiderohet bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar. Me përmbledhjet e novelave “Hija e Maleve” (1929), “Tregtar flamujsh” (1935) dhe “Pasqyrat e Narçizit”, ai solli një prozë të re, të përqendruar te analiza psikologjike, ndjeshmëria shpirtërore dhe gjuha e përpunuar artistikisht. Shkodra, qyteti i tij, por edhe bota e brendshme shqiptare, gjetën te Koliqi një zë modern, evropian, por thellësisht kombëtar.

Si poet, me vëllimin “Gjurmat e stinve” (1933), ai solli një frymë të re estetike, duke shkrirë traditën me modernitetin. Si përkthyes dhe studiues, i dha kulturës shqiptare antologjitë monumentale “Poetët e mëdhenj të Italisë”, duke afruar Danten, Petrarkën, Arioston, Manzonin e të tjerë në shqip, dhe duke e ngritur përkthimin letrar në nivel të lartë artistik.
Figura e tij nuk mund të shkëputet nga arsimi. Si Ministër Arsimi në vitet 1939–1941, në rrethana historike të vështira, Koliqi shfrytëzoi çdo mundësi për të forcuar shkollën shqipe. Nën drejtimin e tij u botuan tekste mësimore, u ringjallën studimet albanologjike dhe, më e rëndësishmja, u dërguan mbi 200 arsimtarë shqiptarë në Kosovë, duke hedhur themelet e arsimit shqip në trojet e liruara. Ky akt mbetet një nga kontributet më të mëdha kombëtare të tij.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Koliqi mbeti në mërgim. Në Romë, si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin Shtetëror, ai u bë një nga ambasadorët më të rëndësishëm të kulturës shqiptare në Evropë. Themelimi dhe drejtimi për 18 vjet i revistës “Shejzat” ishte kulmi i veprimtarisë së tij në mërgim , një tribunë e lirë e mendimit dhe kulturës shqiptare, e papërlyer nga ideologjia, ku u ruajt dhe u kultivua identiteti kombëtar.
Megjithëse i vlerësuar ndërkombëtarisht, i nderuar nga akademi dhe institucione kulturore evropiane, në Shqipërinë komuniste Ernest Koliqi u shpall “tradhtar”. Emri i tij u përjashtua nga historia zyrtare e letërsisë, ndërsa vepra e tij u hesht. Vetëm pas rënies së diktaturës, figura e Koliqit nisi të rikthehej në vendin që i takon.

Ernest Koliqi u nda nga jeta më 15 janar 1975, i pikëlluar nga humbja e bashkëshortes së tij Vangjelija dhe i lodhur nga mërgimi i gjatë. U varros në Romë, i nderuar nga komuniteti shqiptar në diasporë, por ende i mohuar nga atdheu që aq shumë e deshi dhe i shërbeu.
Sot, në 51-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, Ernest Koliqi mbetet një simbol i elitës së mohuar shqiptare, një mendje e ndritur që besonte se:
“Vetëm një popull i kulturuar ka të drejtë t’i kërkojë të drejtat e veta dhe t’u imponohet të tjerëve.”
Trashëgimia e tij letrare, kulturore dhe arsimore është një thesar kombëtar, që vazhdon të flasë edhe sot, përtej kohës, ideologjive dhe heshtjeve të imponuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



