Pep Guardiola e drejtoi për të 500-ën ndeshje Manchester City-n si trainer në fitoren 2-0 në transfertë ndaj Leicester City-t. Katalanasi ia doli të revolucionarizojë klubin dhe futbollin anglez që nga dita e parë kur mbërriti në “Etihad Stadium” në vitin 2016. Gjatë kësaj kohe ai ka fituar 18 trofe duke u shndërruar në trajnerin më të suksesshëm në historinë e City-t. Guardiola realizoi një dominim të paprecedentë në futbollin anglez duke e kthyer City-n në të vetmen skuadër që ka fituar 4 herë rradhazi titullin në Premier League.
Ai është trajneri më jetëgjatë ende në detyrë, më shumë se dy vjet nga ndjekësi më i afërt në këtë klasifikim, Thomas Frank që drejton Brentford. Në total ai ka fituar 6 tituj në Premier League përfshi atë me më shumë pikë, kur grumbulloi 100 nga 114 të mundshmet në sezonin 2017/18. Mirëpo ai i dy viteve më parë mund të quhet i jashtëzakonshëm në termat e trofeve pasi City u bë vetëm skuadra e 8 që fitoi “Triple”-tën evropiane në mbrëmjen magjike të Stambollit. Traineri aktual është i dyti në histori që e drejton City-n në 500 ndeshje. Përpara tij qëndron vetëm Les McDowall, që e drejtoi skuadrën 592 herë mes viteve 1950-1963.
Nën drejtimin e tij ka klubi ka 71% të ndeshjeve të fituara, ndryshe 355 fitore në 500 sfidat e deritanishme. 234 nga 323 ndeshje janë fituar në Premier League ndërsa 60 nga 93 ndeshje u fituan në Champions League. Me 1213 gola të shënuar dhe 429 të pësuar City ka një golevarazh pozitiv +784 prej mbërritjes së Guardiolas. Vetëm Sir Alex Ferguson, me 13 tituj në 26 sezone ka fituar më shumë se Guardiola në nivelin më të lartë të futbollit anglez. Por me 6 tituj në 8 sezonet e para, katalanasi vendosi një rekord për 300 ndeshjet e para në detyrë, duke i lënë pas të gjithë rivalët e kohërave moderne.
Gjatë asaj periudhe grumbulloi 704 pikë, 70 më shumë se ndjekësi i parë në 300 ndeshje, Jose Mourinho. Pas 19 ndeshjeve të këtij sezoni, klubi rregjistron 747 pikë nën drejtimin e Guardiola-s. Me diferencë të ndjeshme ndaj 699 pikëve të Liverpool prej vitit 2016. Në karrierën e tij ai rregjistron 12 tituj në 15 sezone si trainer në Evropë, dy herë më shumë se ndjekësi më i afërt prej vitit 2008. Nën drejtimin e Guardiola-s, Man City ka grumbulluar të paktën 90 pikë në 4 sezone të ndryshme. Më shumë se çdo skuadër tjetër që e ka arritur këtë në histori. Liverpool dhe Chelsea e kanë bërë në 3 raste. Manchester United dy herë dhe Arsenal vetëm një herë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.