Nga një auditim mbi Sigurimet Shoqërore, Kontrolli i Lartë i Shtetit raportoi se gjatë tre muajve të parë të pandemisë, mars-prill-maj, i vitit të kaluar, 497.790 pensione të përfituara mbetën të pa tërhequra.
Të përkthyera në shifra, për këtë periudhë pensionet e pa tërhequra arritën vlerën e mbi 3 miliardë lekëve.
Në raportin e KLSH-së përmendet se edhe pse qeveria përmes një akti normativ vendosi dërgimin në shtëpi të pensioneve, duke shmangur kështu radhët në sportele, ata që jetonin në zona të largëta apo në vende ku nuk ka një sistem adresash, mbetën pa përfitime.
Një tjetër aspekt që sjell KLSH si problem është ajo e lidhjes së pensioneve të reja, që u bë e vështirë gjatë periudhës së pandemisë. Kështu në muajt e izolimit, për shkak të mbylljes së Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore dhe Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, një pjesë e madhe e pensionistëve nuk kanë mundur të lidhin pensionin e tyre.
Për të bërë këtë proces, përfituesit e pensioneve duhet të dërgonin dokumentat e tyre dhe si rrjedhojë, rreth 50% e individëve që do të aplikonin për pension të ri, nuk kanë aplikuar dot, duke i lënë gjatë kësaj periudhe totalisht pa të ardhura.
KLSH thekson se kjo problematikë, rrjedh nga procesi i cunguar i digjitalizimit të arkivës qendrore të ISSH, ku për periudhën 1994-2011 dokumentet e vjetërsisë (regjistra, libra page, bordero, listë-pagesa) nuk janë të digjitalizuara dhe për verifikimin e viteve të punës gjatë kësaj periudhe duhet të bëhet verifikimi fizik i cili është shumë burokratik.
Raporti thekson se indeksi i pensioneve ishte më i ulët se sa indeksi i rritjes së çmimeve dhe ndikimi në jetën e pensionistëve ishte pothuajse zero.
Sipas KLSH-së, ndryshe nga vendet e rajonit, vendi jonë nuk zbatoi ndonjë plan për ndihmë financiare për përballimin e kësaj situate nga pensionistët.
Auditimi tregon se për 7 muaj, për këtë çështje janë bërë 18 mijë ankesa dhe një pjesë etyre nuk janë shqyrtuar ende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




