Nga Gazeta “SI” . Ernest Koliqi është njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, që dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri.
Lindi në Shkodër më 20 maj 1903, në familjen e famshme fisnike qytetare të Koliqëve, që do t’i jepte Shqipërisë një bir tjetër të madh, kardinalin e parë shqiptar, Mikel Koliqi e jo më pak, dëshmitaren e fesë së krishterë, motrën saleziane Luçia Koliqi.
Mësimet e mesme i kreu në Bergamo e Milano, studimet e larta – në fakultetin e letërsisë pranë Universitetit të Padovës, ku janë shkolluar e vijojnë të shkollohen jo pak shqiptarë, duke filluar nga i famshmi Imzot Pjetër Bogdani.
Ministër Arsimi nën pushtimin italian
Koliqi shfrytëzoi mundësitë që i jepte detyra e ministrit që në shtatorin e vitit 1941 të niste mbi 200 arsimtarë normalistë drejt Kosovës për të dhënë mesime shqip.
Gjatë kësaj periudhe u botuan tekste shkollore shqipe më shumë se ç’ishin botuar prej vitit 1912 e deri atëherë si botimi i “Historisë së letërsisë” në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë”, nën kujdesin e Namik Resulit e Karl Gurakuqit si dhe vijoi botimi i përmbledhjeve të folklorit “Visaret e kombit” prej H. Reçit, Spiro Çomorës e A. Palucës dhe shumë arsimtarëve të tjerë, duke e çuar deri në XIV vëllime , punim në aq pak kohë dhe me rëndësi për themelin e studimit të folklorit.
Bashkë me Mustafa Krujën dhe Zef Valentinin thirri në Tiranë Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940 prej ku lindi “Instituti i Studimeve Shqiptare” me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave. Themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija” në korrik të 1940, e cila qe pedanë e mendimtarëve dhe shkrimtarëve të kohës. Gjithashtu themeloi “Institutin e Studimeve Shqiptare ” pranë Universitetit “La Sapienza”.
Vepra dhe botimet
Ernest Koliqi botoi disa revista, ndërmjet të cilave “Shkëndija” – në Shqipëri dhe “Shęjzat” në Romë. Tek Shęjzat ai bashkoi penat më të forta të mërgimtarëve shqiptarë, të arbëreshëve e të shqiptarëve të Kosovës: poetë, prozatorë e studiues të talentuar, që krijuan një pasuri të vërtetë letrare, kulturore e historike, në një kohë kur në Shqipëri kishin heshtur muzat. Kjo revistë, botuar në bashkëpunim të ngushtë me shkrimtarin tjetër gjenial, vazhdues i shkollës veriore të letrave shqipe, Martin Camajn, mbetet më e mira, pas Albanisë së Konicës, LEKA-s, së jezuitëve e “Hyllit të Dritës ” të françeskanëve shqiptarë.
Ernest Koliqi shkroi e përktheu shumë, në prozë e poezi. Krijime poetike të tij janë “Gjurmët e stinëve”, “Simfonia e shqipeve”, “Kangjellat e Rilindjes” e shumë vjersha, botuar në revista të ndryshme. Si kryevepra të tij poetike njihen “Ditë Shëngjergjash”; “Kova” dhe “Bijës sime”. Sidoqoftë majat e krijimit i arriti në prozë , duke i dhuruar letërsisë shqipe përmbledhjet me tregime e novela, ” Tregtar flamujsh” dhe “Hija Maleve”. Sprova e tij në prozën e gjatë me romanin “Buka e mbrume”, botuar kohët e fundit edhe në Shqipëri, nuk e pati suksesin e përmbledhjeve të para.
Martin Camaj do të shkruante për Koliqin : ..”Ernest Koliqi shtjelloi tema gjithfarësh shoqnore, frymëdhanëse të artit dhe përtrijse të kulturës shqiptare. Koliqi ishte i paisun me vlera të nalta njerëzore, si poet e dijetar, i gjithanshëm, i hapun kah jeta me krahë gjiganti, gjallnon; vepra e Tij e madhe flet gjithnji, si bazë komplekse e nji testamenti shpirtnor, fillue në vjetet tridhetë dhe e pandërpreme deri në ditët e fundit”.
Ernest Koliqi vdiq në Romë në vitin 1975.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.