Menaxhim

50 mln euro fond për përmbytjet, ministri: 15 mln shkojnë për dëmshpërblim

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka parashikuar një fond prej 50 mln eurosh për situatën e përmbytjeve në vend.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se 15 mln do të shkojnë për dëmshpërblimin e familjeve dhe bizneseve të prekura, ndërsa 10 mln euro për fondin e emergjencave civile.

Malaj tha se për këtë rast do të vihet në punë edhe Fondi Rezervë.

“Nga ana tjetër, kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën rreth 25 milionë euro që do të vendoset në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhen nga strukturat përkatëse përsa i përket dëmeve të shkaktuara. Sikundër, kemi edhe fondin për digat dhe rezervuarët, i cili është një fond për shpenzimet kapitale dhe lidhet me financimin e projekteve që lidhen me sigurimin e digave dhe të rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro”, tha ministri.

Deklarata e Malajt erdhi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, i cili premtoi dëmshpërblim për çdo dëm të krijuar si pasojë e reshjeve.

Rama bëri një bilanc të përmbytjeve dhe raportoi se janë nën ujë 13.211 ha tokë bujqësore, 1.587 banesa dhe janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë