Lajme

5 vjet nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri

Para pesë viteve, pikërisht më 21 shtator 2014, Papa Françesku vizitoi për herë të parë Shqipërinë.
Ai ishte Papa i dytë që vizitoi Shqipërinë, pas Papa Gjon Palit të II-të, i cili vizitoi vendin tonë në vitin 1993.
Vizita e Papa Françeskut në tokën shqiptare në 2014-ën ishte e para në një vend europian.
Tetori i këtij viti është edhe muaji i jashtëzakonshëm misionar që po ky Papë ka shpallur për të gjithë Kishën Katolike.
“Shqiponjat fluturojnë lart, por nuk e harrojnë kurrë folenë e tyre”, do të thoshte 5 vjet më parë Papa Françesku në Sheshin “Nënë Tereza”. Ai u prit nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve fetare dhe politike, i cili vinte si një njeri i paqes dhe i dashurisë.
Sipas Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare, gjatë këtyre 5 vjetëve Shqipëria ka bërë hapa përpara në zhvillimin e saj shoqëror, ekonomik e shpirtëror.
Sipas tyre, në këto vite ka pasur edhe shumë largime të familjesh, të rinjsh e të rejash.. “Përveç lirisë që secili gëzon të lëvizë ku mendon se është më mirë për të dhe familjen e tij, nuk mund të mos konstatojmë me keqardhje se situata e vazhdueshme e tensionuar shoqërore, mungesa e një zhvillimi ekonomik integral dhe gjithëpërfshirës, mungesa e vendeve të punës ose ekzistenca e vendeve të punës të nënpaguara e jo të paguara mjaftueshëm, niveli i ulët shkollor si dhe ofrimi i vakët i asistencës mjekësore, kanë qenë dhe janë shkaqet e largimit të shumë njerëzve”, shprehet Konferenca Ipeshkvnore.
Duke e lidhur me situatën aktuale në Shqipëri, sipas Konferencës Ipeshkvnore duhet të ketë bashkëpunim dhe dialog për të çuar vendin përpara.
“Të gjithë kemi përgjegjësi për vendin tonë e prandaj ne besojmë se ekzistojnë mundësitë e një bashkëpunimi dhe dialogu për të çuar vendin përpara e për t'i dhënë fund tranzicionit.
Prosperiteti ekonomik nuk mund të shkëputet nga ai i vlerave njerëzore, morale e shpirtërore. Për sa të jetë në fuqitë e në dorën tonë si Kishë katolike do të bëjmë më të mirën tonë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Siç thuhet në deklaratën e tyre, detyra e ipeshkvijve është inkurajimi dhe nxitja drejt rrugës së duhur
“Nuk është detyra e ne ipeshkvijve të japim zgjidhje politike apo ekonomike, por të inkurajojmë e nxisim ato zgjidhje që shkojnë në drejtimin e duhur. Njëkohësisht duam të jemi zëri i atyre që janë viktima të varfërisë e të përjashtimit social e kundër atyre zgjidhjeve që dëmtojnë dinjitetin e njeriut dhe të familjeve shqiptare”, shprehet Konferenca Ipeshkvnore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë