Sociale

5 raste të reja në Shqipëri, 3 prej tyre shtetas italianë. Harta zgjerohet me Kavajën

Në Shqipëri konfirmohen për herë të parë edhe rastet me koronavirus të shetasve të huaj. Bëhet fjalë për 3 italinë që jetojnë në vendin tonë. Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 32 pacientë, ku 5 kanë dalë pozitive me COVID-19. Ndërkohë harta e të prekurve zgjerohet me Kavajën, një 80 vjeçar dhe një 42 vjeçar nga ky qytet.

Drejtoresha e ISHP, Albana Fico bëri me dije se deri më tani janë kryer 697 raste të dyshuara dhe  në total numri i të prekurve në vendin tonë është 64 të përhapura në qytete si:

– Tiranë 45 qytetarë

– Durrës 5 qytetarë

– Lushnjë 2 qytetarë

– Elbasan 2 qytetarë

– Fier 6 qytetarë

-Rrogozhinë 2 qytetarë

– Kavajë 2 qytetar

Fico deklaroi se në Spitalin Infektiv ndodhen 32 pacientë të shtruar dhe 3 prej tyre janë në terapi intensive, por asnjëri nuk është në respiracion të drejtuar,

“Pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19. Sikundër ju është bërë me dije nga Ministrja e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, ka marrë një tjetër sasi të konsiderueshme të testeve diagnostike për COVID-19. Nga ana tjetër, për të siguruar suksesin e ndërprerjes së zinxhirit të transmetimit të infeksionit, qytetarët kanë një rol thelbësor,” deklaroi Fico, ndërkohë që ashtu si të gjithë ekspertët e tjerë, epidemiologë dhe mjekë, ajo bëri thirrje për qytetarët që të telefonojnë 127 dhe  përpos masave vetjake është shumë e rëndësishme të izolohen për të frenuar  përhapjen e infeksionit.

Ndër të tjera Fico bëri me dije se, në Spitalin Infektiv ka kapacitet prej 120 shtretërish. Drejtoresha e ISHP ka theksuar gjithashtu se spitali është i boshatisur nga pacientët që nuk kanë COVID-19 dhe se ata po ndiqen nga trupa mjekësore në spitalet rajonale.

Për sa i hetimit epidemiologjik, Fico tha se nuk ka asnjë pacient që nuk i është nënshtruar hetimit epidemiologjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë