Ngjarje

Dita e pestë – Paketa e Ramës nuk qetëson protestuesit, kërkojnë uljen e çmimeve dhe lirimin e të arrestuarve. Bllokohet unaza (Foto/Video)

Qindra qytetarë u mblodhën sërish në Sheshin Skënderbej për të marshuar para Kryeministrisë në ditën e pestë të protestës kundër rritjes së çmimeve.

Me pankarta “Boll na vodhët”, “Kush mbjell uri, korr revoltë” e thirrjet “Qeveria hajdute”, protestuesit kërkuan sërish që politika t’i qëndrojë larg protestës së tyre.

Pjesëmarrja në protestë në ditën e pestë ishte më e vogël për nga përmasat se protesta e së shtunës. Qytetarët që morën fjalën kundërshtuan paketën e Kryeministrit.

“Plani me 7 pika është vetëm një mashtrim i radhës. Pensionet janë ku nuk thërret qameti. Me planin e qeverisë nuk është shtuar asgjë. Ato 3 mijë lekë që ka dhënë t’i vijë zor”, thanë qytetarët.

Përfaqësues të fermerëve thanë se fshati po braktiset, ndërsa i bënë thirrje qeverisë që të vendosë për fermerët një fond të barabartë me atë që ka vënë Kosova.

Qytetarët hodhën gjithashtu parrullën “po nuk ranë çmimet, do të bjerë qeveria” dhe pas më rreth dy orësh tubim u shpërndanë, duke paralajmëruar se protesta do të vazhdojë çdo ditë në orën 17:00.

Megjithatë, një grup prej protestuesve u shkëput duke iu drejtuar Gjykatës së Tiranës në drejtim të Unazës së Tiranës. Aty bllokuan kryqëzimin dhe urën që lidh rrugën Myslym Shyri me zonën e bllokut.

Një grup tjetër bllokoi kryqëzimin pranë Gjykatës së Lartë.

Protesta vijoi përgjithësisht e qetë, por përplasjet sporadike me policinë nuk munguan, si në rastin kur u njoftua shpërndarja e tubimit, kur një grup protestuesish u përplasën me uniformat blu në kryqëzimin e Unazës me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Protestuesit u përpoqën që të bllokojnë qarkullimin në këtë kryqëzim, por nuk janë lejuar nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Paralelisht me protestën, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me punonjës e biznese për t’u shpjeguar, sipas tij, paketën e rezistencës sociale dhe efektet krizës ndërkombëtare ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë