“Gjithmonë kur të takohemi me njëri-tjetrin le të buzëqeshim, buzëqeshja është fillimi i çdo dashurie”, kështu do të shprehej simboli shqiptar dhe botëror i humanizmit, Nënë Tereza.
Shenjtorja Nënë Tereza me shembullin e saj të jashtëzakonshëm të dashurisë dhe përkujdesjes arriti të pushtojë botën dhe të fitojë Çmimin Nobel për Paqen.
Dita e sotme (5 shtatori) përkon me Ditën e Shenjtërimit të saj. Si sot 4 vite më parë, në një ceremoni madhështore në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan botës iu shtua një shenjtore, ajo është Nënë Tereza. Përvjetorin e Shenjtërimit të saj e kanë përkujtuar edhe politikanët shqiptarë, duke shkëputur thëniet dhe aforizmat e saj të famshme që ende i rezistojnë kohës dhe duke nxjerrë në pah gëzimin që sjell dashuria dhe altruizmi.
Kryeministri Rama për të uruar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës ka publikuar një video nga momenti i saj në Shqipëri, bashkë me shprehjet e saj më kuptimplota.
“Mirëmëngjes dhe me disa nga fjalët e shenjta të Nënë Terezës në ditën e saj të Shenjtërimit, ju uroj një fundjavë të paqtë si vetë ajo”, shkruan Rama.
Presidenti Ilir Meta e ka kujtuar Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës përmes një videoje në rrjetet sociale ku thekson se në këtë ditë vjen më i fortë mesazhi se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm.
Ambasada e SHBA në Tiranë kujton ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, duke theksuar mes të tjerash se “Bamirësia zbut ndikimet negative të krizave humanitare dhe ndihmon në përmirësimin e shërbimeve në mjekësi, edukim, strehim dhe mbrojtjen e fëmijëve”.
Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, gruaja me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Nënë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




