Sociale

4 raste të reja me COVID-19 në Shqipëri, shkon në 2 numri i viktimave

Në 24 orët e fundit në vend u shënua viktima e dytë nga koronavirusi, ndërsa u konfirmuan 4 raste të reja. Përgjegjësja e departamentit të inteligjencës epidemiologjike në ISHP Eugena Tomini, njoftoi se janë testuar 60 raste të tjera. “Tre janë raste kontakti në gjendje të mirë shëndetësore dhe një rast i ri, një pacient 66-vjeçar që po trajtohet në terapi intensive në spitalin infektiv në QSUT”, tha ajo.

Ndërkohë mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient i moshës 66-vjecare në spitalin Infektiv. “Ai vuante nga disa sëmundje shoqëruese: insuficenca kardiake, edemë pulmonarë dhe insuficencë renale. Prej disa ditësh pacienti ishte i intubuar (me respiracion të drejtuar) në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha Tomini.

Ndërkohë dje është kryer ritestimi për kontaktin e parë të pacientit zero, i cili ka rezultuar negative, ndërsa do të vijohet me testin e radhës pas 48 orësh për të konfirmuar negativizimin nga COVID-19 për këtë pacient.

Deri në këto momente janë testuar 665 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 59 raste:

Nga rastet pozitive, shpërndarja nëpër qytete është:

Tiranë 42 raste.

Durrës 5 raste (një i vdekur).

Lushnjë 2 raste (një i vdekur).

Elbasan 2 raste.

Fier 6 raste.

Rrogozhinë 2 raste.

Tomini deklaroi se 30 pacientë janë shtruar në spitalin infektiv dhe tre prej tyre janë në terapi intensive, ndërkohë që bën thirrje për qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

 “Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit. Edhe një herë një lutje për qytetarët: Mos shkoni menjëherë në spital! Telefononi 127 kur keni shenja të sëmundjes! Pavarësisht masave të marra, e rëndësishme është izolimi social, masat vetjake, që të frenojmë sa më shumë përhapjen e infeksionit. Mënyra më e mirë për të ndihmuar personelin shëndetësor dhe për të përballuar këtë situatë është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi,” tha Tomini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë