Menaxhim

4 bashki në vështirësi financiare. Kryeson Kavaja me mbi 800 mln lekë detyrime të pashlyera

Nga Gazeta ‘SI’ - Katër nga 61 bashkitë e vendit janë në vështirësi financiare, raporton KLSH në auditin e fundit të bërë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Raporti tregon se bëhet fjalë për bashkitë Dimal, Vorë, Kavajë dhe Cërrik të cilat kanë një stok të lartë të detyrimeve të prapambetura, mbi 25% të shpenzimeve vjetore. Më problematikja është ajo e Kavajës, ku detyrimet e 2022-shit ishin sa 65.7% e buxhetit të vitit ose rreth 840 mln lekë. Detyrimet e bashkisë së Vorës në vitin 2022 ishin sa 39% e shpenzimeve të vitit.

Sipas ndarjes së vetë MFE, ‘me vështirësi financiare’ përcaktohen bashkitë që kanë probleme të mëdha me financat. Më pas renditen ato me ‘probleme financiare’, si bashkia Poliçan, Dibër, Tropojë, Pogradec, Devoll, Libohovë, Delvinë dhe Peqin me detyrime të prapambetura deri në 23%.

Më herët, kur detyrën e ministres së Financave e mbante Delina Ibrahimaj, kjo e fundit pat deklaruar se është hequr kategoria ‘bashki me paaftësi paguese’, pra në prag falimentimi sepse nuk ka më të tilla, por situata e bashkisë Kavajë duket mjaft kritike.

Në të njëjtën ditë, Ibrahimaj njoftoi se borxhet e bashkive nuk do t’i paguante më qeveria qendrore, por vetë bashkitë, me anë të buxhetit të pashpenzuar dhe duke mirëmenaxhuar arkëtimin e taksave.

Ibrahimaj u shpreh atëherë se, që pas reformës territoriale bashkitë kanë pasur përmirësime të dukshme në arkëtimin e taksave dhe në reduktimin e stokut të detyrimeve.

Një ditë më parë, pasuesi i Ibrahimajt, Ervin Mete, tha se disa miliardë lekë nga arka e shtetit do të shpërndahen për bashkitë që kanë vonesa me shlyerjen e detyrimeve, që tregon se situata e rënduar ka vazhduar edhe gjatë 2023-shit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë