Nga Gazeta ‘SI’ – Është hapur këtë të mërkurë gara ndërkombëtare për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Zv/kryeministrja Belinda Balluku e quajti këtë vepër si “një gur kilometrik” të infrastrukturës shqiptare.
“Është një nga mjetet e transportit më të rëndësishëm sipas Bashkimit Europian, sidomos për Ballkanin Perëndimor”, tha Balluku. “Kjo hekurudhë lidh Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, tradita dhe mbi të gjitha aspiratën për t’u bërë sa më shpejt pjesë e Bashkimit Europian”.
Sipas Ballukut, linja që nis në Vorë dhe përfundon në Hanin e Hotit, është 120 km e gjatë. Është parashikuar të ndërtohen dhe ristrukturohen 12 stacione, ndërsa do të ketë edhe 12 ura dhe një tunel në zonën e Lezhës me gjatësi 320 metra.
Balluku tha gjithashtu se shpejtësia e udhëtimit me tren do të jetë 120 km/h. “Rruga do të përshkohet për dy orë mesatarisht me një fluks vjetor 2.3 milionë pasagjerëve, ose 900 mijë tonë ngarkesa mallrash në vit. Vënia në funksion pritet të jetë me një impakt shumë të rëndësishëm social dhe ekonomik, parashikohet të punësohen 1000 persona”, tha ministrja.
Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato theksoi ndërkohë se ky investim “lidh popujt”. Sipas ambasadorit, është një hap jetik për bashkëpunimin e Shqipërisë me vendet e tjera të BE
“Një projekt nga i cili përfiton Shqipëria në grandin më të madh në të ardhmen. Ky projekt ka një vlerë historike. Shqipëria bëri një avancim me hapjen e grupkapitujve të gjashtë, edhe Mali i Zi po bën një hap të rëndësishëm. Prandaj duhet që të këto dy vende të ecin paralelisht. Lidhja e shqiptarëve me vendet e rajonit është shumë e rëndësishme, prandaj do të bëjmë lidhjen nëpërmjet urës. Në mënyrë që popujt e rajonit të lidhen me njëri tjetrin ne duhet të bëjmë përpjekje. Prandaj kjo lidhje hekurudhore e Shqipërisë me vendet e tjera të Europës është një hap jetik për bashkëpunimin mes popujve. Natyrisht që kjo do të jetë pjesë dhe e jetës së Shqipërisë, pasi linjat hekurudhore do të shërbejnë dhe për transportin e mallrave. Ndërkohë që Shqiperia ecën përpara drejt BE, ne ofrojmë mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Gonzato.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.