Njerez

34 gra u vranë në 3 vite nga një partner apo familjar. Raporti: Shqipëria ndër vendet me normën më të lartë të femicidit

Nga Gazeta 'SI' - Avokati i Popullit ka publikuar për herë të parë një raport mbi vrasjen e grave në Shqipëri, njohur si femicidi.

Raporti tregon se nga periudha 2021-2023 në Shqipëri janë vrarë 34 gra. Vrasjet kanë ndodhur në 19 bashki, ku numri më i madh është regjistruar në Tiranë (6 raste), ndjekur nga Fieri (4 raste) dhe Elbasani (3 raste).

Shifrat e dala nga Observatori i Femicidit tregojnë se në 27 raste, viktimat kishin lidhje familjare me autorin; në 18 raste, autori ishte partneri/ish-partneri, ndërsa në 9 raste ishte një familjar tjetër.

Sipas raportit, bazuar në prova të forta, këto vrasje nga partnerët intimë ose anëtarët e tjerë të familjes janë të bazuara në faktorë të lidhur me gjininë. Më shumë se gjysma e tyre kanë qenë papunë apo në pension në momentin e vrasjes. 60% e grave dhe vajzave viktima kanë pasur arsim 8/9-vjeçar.

Pjesa më e madhe e grave të vrara gjatë kësaj periudhe i përkisnin moshës 30-44 dhe 45-59 vjeç.

4 nga 10 gra të vrara ishin me fëmijë nën 18 vjeç.

Më pak se 20% e tyre kishin raportuar më parë dhunën në familje, dhe vetëm 2 prej tyre kishin përfituar urdhër mbrojtjeje.

Për 32 rastet e vrasjeve të grave dhe vajzave, janë identifikuar nga autoritetet 28 autorë. Në dy raste autorët mbeten ende të paidentifikuar. Rreth një e treta e autorëve i përkisnin grupmoshës 45-59 vjeç, dhe shumica ishin burra, ndërsa vetëm dy gra rezultuan autore. 4 në 10 autorë kishin arsim 8/9-vjeçar, dhe afërsisht gjysma e tyre ishin të papunë në momentin e kryerjes së krimit.

Të dhënat nga Observatori flasin për një rritje të femicidit në Shqipëri, 0.84 për 100,000 femra duke u renditur e treta në rajon pas Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë. Krahasuar edhe me disa nga vendet e tjera jashë kontinentit europian, gjatë vitit 2023 norma e femicidit në Shqipëri ishte më e ulët se në SHBA, Meksikë, Kosta Rika dhe Mongoli dhe më e lartë se në Marok, Algjeri dhe Jordani.

Më pak se 20% e tyre kishin raportuar më parë dhunën në familje, dhe vetëm 2 prej tyre kishin përfituar urdhër mbrojtjeje (UMM/UM).  

Gjatë prezantimit të raportit, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, nënvizoi se “femicidi është kulmi i një vargu dhune dhe diskriminimi që gratë përjetojnë çdo ditë dhe se nuk është një çështje vetëm e viktimave. Ai është një problem që ka të bëjë me të gjithë shoqërinë".

Ballanca theksoi se raporti i Observatorit shërben si një mekanizëm i rëndësishëm monitorimi për parandalimin e femicidit duke rikujtuar rekomandimet e raportit, ndër të cilat kërkohet njohja e femicidit si vepër penale e veçatë në Shqipëri.

"Ndër rekomandimet kryesore të këtij raporti mund të veçojmë: Njohja e femicidit si një vepër penale e veçantë në Kodin Penal të Shqipërisë. Rritja e koordinimit mes forcave të rendit, shërbimeve sociale dhe sistemit gjyqësor për të siguruar mbrojtje efektive për gratë në rrezik. Raporti zbulon se 90% e viktimave të femicidit kanë përjetuar dhunë nga autorët e tyre më parë, duke theksuar se shenjat e hershme paralajmëruese kanë tendencën të shfaqen në forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit. Kjo nënvizon nevojën kritike për masa të menjëhershme dhe reagime të forta për të mbrojtur gratë dhe vajzat", u shpreh drejtuesja e Avokatit të Popullit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë