Pothuajse një e treta e tokës bujqësore në të gjithë botën është në rrezik të lartë të ndotjes së pesticideve, sipas një raporti të ri.
Shkencëtarët në Australi shqyrtuan sesi u përdorën gati 100 kimikate bujqësore në 168 vende, për të përcaktuar se cilat pesticide tejkaluan nivelet e rekomanduara.
Duke treguar për 'rrezikun e përhapur global të ndotjes së pesticideve', hulumtimi zbuloi se 64 përqind e tokës bujqësore kishte nivele kimikatesh pesticidesh më të larta se ato që standardet e industrisë i konsiderojnë 'përqendrime pa efekt'.
Një e treta u konsideruan me rrezik të lartë, me nivele pesticidesh më shumë se 1000 herë më të larta se përqendrimet pa efekt.
Kjo përfshin mbi 60 përqind të tokës bujqësore europiane, e cila trajtohet me nivele të rrezikshme të herbicideve, fungicideve dhe insekticideve.
Studiuesit në Universitetin e Sidneit zhvilluan një model për të vlerësuar rrezikun e ndotjes së mjedisit të shkaktuar nga 92 përbërje kimike, 59 herbicide, 21 insekticide dhe 19 fungicide në 168 vende.
Ata vlerësuan përdorimin bazuar në të dhënat më të fundit të Sondazhit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara dhe të dhëna specifike për vendin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara e Ushqimit dhe Bujqësisë.
"Sa më i lartë rezultati i rrezikut, aq më i lartë është probabiliteti që një specie jo-target të përjetojë një efekt", tha kimistja Fiona Tang, autorja kryesore e raportit të botuar në Nature Geoscience.
Ekipi i Tang zbuloi se në përgjithësi 64 përqind e tokave bujqësore në të gjithë botën, kishin nivele më të larta se të rekomanduara.
31 përqind u konsideruan 'me rrezik të lartë', ose kishte nivele të mbetjeve të pesticideve më shumë se 1000 herë nga ato që konsiderohen të padëmshme.
Azia kishte tokën më të rrezikuar, ndërsa nivelet e larta të ndotjes në Rusi, Ukrainë dhe Spanjë treguan se mbi 60 përqind e tokës bujqësore evropiane është në rrezik të lartë të ndotjes së pesticideve.
Në raport shkruhet se Afrika e Jugut, Kina, India, Australia dhe Argjentina janë rajone me rrezik të lartë të ndotjes së pesticideve dhe vuajnë nga mungesa e ujit.
Kontakti i drejtpërdrejtë me pesticidet mund të shkaktojë acarim të lëkurës, skuqje, të përziera, marrje mendsh dhe diarre, ndërsa ekspozimi ndaj mbetjeve në produktet ushqimore është i lidhur me një mori sëmundjesh, përfshirë sëmundjen e Parkinsonit, limfomën dhe astmën.
Ka disa arsye pse rajonet janë pika fokale për pesticidet bujqësore duke përfshirë përdorimin e tepruar ose përdorimin e varieteteve shumë toksike.
Ndërsa kërkesa për të korra është rritur, përdorimi i pesticideve komerciale është rritur në mënyrë eksponenciale për ta përmbushur atë dhe raporti i Tang bazohet në një numër në rritje të hulumtimeve mbi ndikimin e këtyre kimikateve.
Një studim i botuar në gusht zbuloi se pesticidet dhe plehrat kishin kaluar lëndët djegëse fosile si burimi më i madh njerëzor i squfurit, një përbërës kryesor i shiut acid.
Dikur vinte kryesisht nga termocentralet me qymyr por ekspertët nga Universiteti i Kolorados zbuluan se përdorimi në rritje i squfurit në bujqësi ka një efekt të ngjashëm.
Sipas një raporti këtë muaj në revistën Environment Science & Technology, pesticidet mund të vazhdojnë të ndikojnë në mjedis shumë kohë pasi përdorimi i tyre të ndalet.
Studiuesit në Zvicër gjetën mbetje nga herbicide dhe fungicide në tokë në fermat që u bënë organike më shumë se 20 vjet më parë.
Burimi: Daily Mail. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.