Media Galeri

30 vjet pa Ayrton Senna / Vdekja e legjendës së Formula 1 në një aksident në Imola

Gazeta Si- Tridhjetë vjet më parë, më 1 maj 1994, piloti brazilian Ayrton Senna ndërroi jetë. Legjenda e Formula 1 vdiq në moshën 34-vjeçare në një aksident të tmerrshëm në Imola gjatë Çmimit të Madh të San Marinos.

Gjatë xhiros së shtatë, Senna, i cili ishte nisur në “pole position”, doli me largua nga pista me makinën e Williams-Renault në kthesën e Tamburello-s me shpejtësi shumë të lartë.

Piloti brazilian nuk ishte më në gjendje të kontrollonte makinën për shkak të humbjes së kontrollit pas përplasjes.

Ai u përpoq të frenonte, por përfundoi pas murit në buzë të pistës. I dërguar me urgjencë në spitalin Maggiore në Bolonja, ai u deklarua i vdekur katër orë e 17 minuta pas aksidentit.

Gjatë karrierës së tij, Senna konkurroi në 161 Grand Prix, duke marrë 65 “pole position” dhe duke fituar 41 herë, me 80 podiume në përgjithësi.

Ai u bë kampion bote në vitet 1988, 1990 dhe 1991. Në Brazil u shpallën tri ditë zie kombëtare pas vdekjes së tij.

Miliona njerëz morën pjesë në funeralin shtetëror më 5 maj. Trupi i tij u varros në varrezat e Morumbi-t, një lagje e São Paulos.

Në varrin e pilotit është një citim nga letra e Shën Palit drejtuar romanëve: "Asgjë nuk mund të më ndajë nga dashuria e Zotit".

Procesi, i cili filloi në 1997, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin çoi në disa polemika.

Shkak i përplasjes u zbulua se ishte thyerja e kolonës së timonit, një ngjarje e cilësuar e shmangshme dhe që i atribuohet drejtorit teknik, Patrick Head.

Megjithatë, në vitin 2005, Gjykata e Apelit të Bolonjës vendosi që drejtuesi "nuk duhet të ndiqet penalisht", pasi akuza që i atribuohej atij ishte shuar me statut të kufizimeve".

Megjithatë, si pronari i skuderisë, Williams F1, Frank Williams, ashtu edhe projektuesi i makinës, Adrian Newey, u shpallën të pafajshëm në të tre shkallë e gjyqësorit italian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë