Partia Demokratike deklaron se ka të dhëna e fakte se si është manipuluar pjesëmarrja e qytetarëve në procesin e votimit të 30 qershorit.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në një dalje për mediat nga selia blu tha se KQZ ka rritur pjesëmarrjen me mijëra votues, duke përdorur si kamikaz Denar Bibën.
“Që prej 30 Qershorit, Edi Rama është zbuluar para shqiptarëve si Kryeministri i vetëm në Europë që ka manipuluar edhe votimet e veta antikushtetuese me 1 kandidat.
Ai ka rritur pjesëmarrjen me të paktën 8% apo me rreth 280 mijë votues, duke përdorur Komisionin Qendror të Vjedhjeve, specifikisht, nënkryetarin kamikaz të këtij institucioni, Denar Biba. Partia Demokratike disponon të dhëna të plota sesi ka funksionuar skema e manipulimit të numrit të pjesëmarrësve në votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit”, shprehet Bardhi.
Sipas tij, për zgjedhjet e 30 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhduku transparencën tradicionale të këtij institucioni.
“Për të mbuluar këtë krim dhe për të mos lënë gjurmë, Komisioni Qendror i Vjedhjeve zhduku transparencën tradicionale të këtij institucioni. Nuk hodhi të dhënat e pjesëmarrjes në sistemin online të të dhënave për të mos lënë gjurmë. Nuk publikoi asnjë tabelë me rezultatet e votimit për çdo qendër votimi. Votimet me 1 kandidat dhe të paligjshme kanë përfunduar prej 4 ditësh, por Denar Biba me grupin e tij të krimit, si asnjëherë më parë, nuk kanë publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki. Kjo është e paprecedentë”, vijoi më tej Bardhi.
Ai paralajmëroi se PD do bëjë kallëzim penal për këtë krim masiv elektoral, duke filluar nga nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba.
“Kamikazët e Edi Ramës në Komision Qendror të Vjedhjeve dhe kudo tjetër do të mbajnë përgjegjësi penale! Partia Demokratike ka vendosur të bëjë kallëzim penal për këtë krim masiv elektoral dhe për shpërdorim detyre, duke nisur nga Denar Biba dhe duke përfunduar te çdo kriminel tjetër pjesë e administratës së Komisionit që ka marrë pjesë në dhunimin e rëndë të ligjit, kushtetutës dhe demokracisë”, përfundoi sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




