Avokati Jordan Daci, që në Gjykatën Kushtetuese mbron padinë e ngritur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë për kushtetueshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019-n thotë se vendimi i gjykatës nuk i kërkon Venecias shqyrtimin e dosjes në themel.
“Nuk ka shkuar çështja në Venecia dhe kjo e fundit nuk do të shprehet për pranimin, ose jo e të tjera, të kërkesës dhe themelit të saj, pasi këtë do ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese. Thjesht do i dërgohen disa pyetje që do të ndihmojnë gjykatën në vendimmarrje”, thotë Daci.
Daci thotë se kjo procedurë nuk zgjat më shumë se 2 muaj dhe shpjegon se pse, sipas tij.
“Venecia nuk ka nevojë për mision faktmbledhës, sepse e ka bërë për opinionin për shkeljet e Presidentit dhe kjo shkurton shumë kohën. Do të procedohet me procedurë të përshpejtuar”, shton ai.
Daci thotë se Gjykata Kushtetuese u ka lënë si afat palëve në këtë proces që të dorëzojnë pyetjet brenda orës 16:00 të së premtes dhe më pas këto pyetje do të përkthehen dhe dorëzohen Komisionit të Venecias për përgjigje.
Avokati parashikon që Venecia të japë një mendim të përgjithshëm mbi pyetjet që do t’i bëhen pa vënë Gjykatën Kushtetuese para mungesës së hapësirës së vlerësimit të saj.
Daci hedh dyshime se në lidhje me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese po sulmohet.
“Të mbrojmë gjykatën nga sulmet pa pikë logjike, sepse po tregon integritet dhe profesionalizëm shumë të lartë, pavarësisht qenies të rinj në këtë gjykatë të anëtarëve. Të mos e “vrasim” një institucion që mezi prisnim ta kishim tani që po rikthehet fuqishëm në mbrojtje të shtetit të së drejtës”, thotë avokati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.