Dhuna dhe Islami shpesh përshkruhen krah për krah. Ndaj ngjan si lehtësim të kujtojmë se historikisht, kulturalisht dhe intelektualisht, Islami është më pak një besim nihilist sesa një civilizim global. Një libër i ri nga Chase Robinson, i cili përfshin 30 portrete figurash të rëndësishme në historinë islame, është një përmbledhje elegante e shumë manifestimeve shumëngjyrëshe, kreative dhe teknologjikisht novatore, që Profeti Muhamed frymëzoi nga oazet e tij të shekullit të shtatë në gadishullin Arabik.
Sigurisht, luftëtarët dhe sunduesit janë atje. Duke nisur me Muhamedin dhe duke përfunduar me Shah Ismailin 900 vjet më vonë, ata e kanë pozicionuar narrativën. Por në rrëfimin e Robinson-it artet e tyre luftarake janë dytësore ndaj atyre estetike. Muhamedi nuk kremtohet për fitoret e tij në fushën e betejës, por për vargun e tij. Abd al-Malik, kalifi që mori Qipron, ishte më i njohur për kronistët islamikë për ndërtimin e Kupolës madhështore të Shkëmbit, në Jerusalem dhe, më pak tërheqëse për frymën e keqe, sa mund të vriste një mizë. Mahmoud i Ghazni, xhihadist i cili pushtoi mbretëritë hindu të Indisë veri-perëndimore, u admirua për dekorimin e periferisë lindore të Islamit, me kopshte. (“Ju e keni shkuar në fill trëndafilin e egër me margaritarët”, shkroi një poet oborri.) Timur, Mongoli “hajduti i deleve dhe pushtuesi i botës”, ndërtoi kulla me kafka, por edhe xhami të larta, të Samarkandit. Sulltan Mehmed II, pushtuesi osman i Kostandinopojës, ishte “një njeri i rilindjes”.

Po aq magjepsës sa luftëtarët, janë edhe personazhet në oborret që ata morën nën patronazh. Kasta e Robinson përfshin mjekë dhe biologë, kaligrafë, hartografë (duke përfshirë Muhamed al-Idrisi, më poshtë), historianë dhe poetë me mendim të lirë. Edhe pse vetë Muhamedi ishte analfabet, tradita e tij ishte e mbushur me letra. Një nga Suret e tij, ose kapitujt Kuranikë, u quajt “Pena”. Sipas traditës, njeriu i parë, Adami, krijoi penën e parë dhe Aliu, dhëndri dhe pasardhësi i profetit, shpiku shkrimin e tij arab.
Manjatët dhe njerëzit e biznesit janë gjithashtu të pranishëm: në shekullin e nëntë, ashtu si tani, prodhuesit ankoheshin për shkarkimin e enëve kineze të gatimit, në tregun e tyre. Gratë gjithashtu paraqiten, si mistike, kurtizane dhe studiuese. Nën harqet e xhamive të Mekës, Karima al-Marwiziyya udhëhoqi qarqet e studimit Kuranik për të dy gjinitë. Mbi të gjitha, mund të ketë vërejtur ajo, shumë prej shoqëruesve të Profetit dhe ruajtësve të traditave Islame ishin vetë gra.
Del një civilizim, që ishte një treg idesh, si edhe mallrash. “Urbanizimi dhe shkrim-leximi u tha të ishin një fenomen i dallueshëm modern”, thotë Robinson, “por kjo është e gabuar”. Përkundrazi, bota islamike, thotë ai, mishëroi “globalizimin para epokës së tij”, “kozmopolitizmin kulturor”, “një botë të ndërthurura” dhe kapitalizmin. Të pasura nga tregtia, qytetet e tij ishin më elegantët në botë. Në shekullin e nëntë, Bagdadi lulëzoi me shpejtësi si Manhatani një mijëvjeçar më vonë, me intriga, seks dhe mosrespekt. Tridhjetë mijë gondola lundruan Tigrin. Një tjetër kryeqytet islamik, Kordoba, ishte qyteti më i madh në Europë dhe prodhoi disa nga mendjet më të mëdha: pa racionalistin e shekullit të 12-të, Ibn Rushd (Averroes), mbrojtja e të cilit ndaj filozofisë aristoteliane kundër teologëve ortodoksë ndikoi në njerëz si Thomas Aquina, Iluminizmi mund të mos kishte ndodhur kurrë.

Përmes portreteve të tij, Robinson shpalos dy mitet moderne rreth Islamit. Salafistët, puritanët që dominojnë ligjërimin islamik të shekullit 21, e përkrahin Profetin Muhamed si themeluesin e një besimi të pacenuar dhe uniform, të cilin çdo mysliman duhet të aspirojë ta përsërisë. Sipas interpretimit të Robinson, Islami që Profeti la trashëgim ishte amorf, i sapo nisur dhe i hutuar. Në mungesë të themeluesit të tyre, komuniteti mysliman grindej jo vetëm për bukuritë e ligjit, por kush duhet të qeverisë dhe si.
Gruaja e parapëlqyer e Muhamedit dhe dhëndri bënë beteja të hapura për trashëgiminë e tij. Besimi ishte gjithashtu thellësisht sinkretik: ai u zgjerua duke thithur traditat e popujve që ranë nën sundimin e tij. Sundimtarët e parë nuk panë asgjë të papajtueshme midis një ekzistence të drejtë islamike dhe pirjes së verës. Shumë shpesh materiali burimor ishte shumë i pakët për t’iu përgjigjur pyetjeve themelore. Për shembull, politikani dhe studiuesi letrar Andaluzian, Ibn Hazm, argumentoi kundër dënimit biblik të vdekjes për homoseksualitetin, duke thënë se askund nuk ishte përshkruar në Kuran. (Dhjetë kamxhikë, sugjeroi ai, mund të ishin më të përshtatshme.) Vetëm shekuj më vonë, besimi u zhyt në diçka të ngjashme me ortodoksinë e sotme.
Miti i dytë që prek Robinson është ai që shpesh propozohet nga orientalistët: se shtrëngimi i ortodoksisë çoi në rënien e pandalshme Islamit. Në shekullin e dhjetë, Abu Bakr al-Razi, një alkimist dhe mjek persian, shkroi një traktat, “Mbi mashtrimin e profetëve”, duke pohuar përparësinë e arsyes mbi zbulimin dhe duke i tallur profetët si mashtrues dhe tregimtarë. Vetëm mbrojtja e tij, se arsyeja ishte një dhuratë e Zotit i kurseu akuzat për blasfemi. Shekullin vijues, Al-Biruni botoi ndoshta tregimin më të madh klasik të fesë krahasuese, duke cituar aforizmat Greke, Persiane dhe Sanskrite krahas thënieve të Profetit. Pesë shekuj para Daniel Defoe, Ibn Tufayl shkroi një histori për një djalë i cili u rrit në një ishull të shkretë. Pa zbulim, tregon metafora e tij, njerëzit zhvillohen si qenie racionale.

Në shekullin e 14-të, qendra e gravitetit të Islamit ishte zhvendosur në Stamboll, por oborret e tij vazhduan të tërheqin shkencëtarët dhe artistët kryesorë të botës dhe mbetën në pragun e përparimeve mjekësore dhe teknologjisë ushtarake. Pas një periudhe të njohur shkatërrimi, rregulli mongol filloi investime të reja në shkencë, veçanërisht observatori i tij i shekullit të 13-të në Maragheh, gjetjet e të cilit mbështetën modelet e universit të Kopernikut. Multikulturalizmi, mbase edhe trans-konfesionalizmi, mbeti një trup i njohur i sundimit islamik. Duke u alternuar midis riteve sunite dhe shiite, besimi i mongolëve u ndje jashtëzakonisht i rrjedhshëm.
Veziri i Uljeitusë ishte Rashid al-Din, një hebre i lindur në Iran i kovertuar në Islam, i cili mblodhi një magazinë të studiuesve globalë pranë Tabrizit në shekullin e 14-të dhe i vendosi të punojnë në historinë e botës “me përmasa industriale”, “Përmbledhjen të Kronikave ”. Gjerësia e saj enciklopedike është një përbërje e teksteve të nxjerra nga studiuesit hebraikë (të përkthyera me sa duket nga vetë Rashid al-Din), murgjit Kashmiri, të dërguarit kinezë dhe mbase tregimi më dashamirës i Budës në një tekst jo-budist. Më shumë se 2,000 milje larg në Tuniz, Ibn Khaldoun shkroi një histori shoqërore e cila për herë të parë hodhi poshtë përbërjen e kronikave të oborrit, për të shqyrtuar shkaqet prapa ngjarjeve historike.
Ka, natyrisht, personazhe më afër karikaturave të fondamentalistëve modernë myslimanë. Taqi al-Din Ibn Taymiyya, një gjykatës i shekullit të 14-të në Damask dhe Aleksandri, iu kundërvu mongolëve për favorizimin e Shiizmit dhe zbatimin e ligjit të tyre të jasas, jo të Sheriatit – një mëkat që, siç deklaroi ai, i bëri ata femohues. Kur autoritetet Sunite Mamluk, që ai favorizoi shpërfillën fyerjen e një të krishteri kundër Profetit, ai e trazoi turmën për të kërkuar prerjen e kokës së tij. Një lojtar i vogël në kohën e tij, Salafistët e ngritën atë në qendër të skenës sot, duke renditur mësimet e tij së bashku me Profetin në programin kryesor të Arabisë Saudite. Mospërfillësit dhe praktikuesit më të zellshëm të Islamit mund të bëjnë më keq sesa të kujtojnë edhe 29 personazhet e tjerë të Robinson-it.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




