Nga Gazeta ‘SI’ – Instituti i Statistikave në vend ka njoftuar se më 18 shtator 2023 do të nisë Censi i Popullsisë dhe Banesave, që do të zgjasë 6 javë.
Sipas Instat, qëllimi i Cens-it është t’i sigurojë parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion statistikor të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuar situatën demografike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Bizneset, po ashtu, kanë nevojë për të dhëna të Censit për të përcaktuar se ku mund të lokalizojnë dyqanet, për të vlerësuar forcën e mundshme të punës dhe për të vlerësuar tregjet e blerësve etj.
Drejtoresha e Instat, Elsa Dhuli tregoi se i gjithë procesi do të përfshijë 8 mijë të punësuar dhe do të kushtojë 16 mln euro.
Risia këtë vit është digjitalizimi i anketave të cilat do të kryhen me tabletë dhe jo dokumenta fizikë.
Cens kërkon informacion mbi karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike të individëve. Kjo përfshin pyetje në lidhje me moshën, gjininë, marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes, vendin e lindjes, nivelin e arsimit, statusin e punësimit, etninë, fenë, aftësinë e kufizuar, si dhe kushtet e banimit.
Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Cens, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën.
Në nivel botëror, Censet kërkohen çdo 10 vite. I fundit në vendin tonë ishte ai i 2011-së, ndërsa duhet të niste tjetri në 2020-n. Pandemia dhe pengesat e tjera e shtynë atë me 3 vite, për të nisur shtatorin e këtij viti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



