Para

3 skemat/ Si pastrohen paratë e pista në tregun imobiliar në Shqipëri

Nga Gazeta 'SI' - Pasuritë e paluajtshme rezultojnë si forma më e përhapur e pastrimit të parave në Shqipëri.

Raporti i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, AFIU, për 2023-shin tregon se janë tre lloje skemash të pastrimit të parave me anë të real estate që janë më të përhapurat. Të gjitha rastet e mëposhtme janë ngjarje reale dhe AFIU i ka referuar investigim.

E para është përfshirja e personave me aktivitet kriminal në këtë treg. Në rastin që përshkruan AFIU, shtetasi ka investuar qindra mijëra euro në pak vite në real estate me para në dorë, duke përdorur kreditë në bankë si mbulim. Ky shtetas kishte të ardhura vjetore të deklaruara të ulëta dhe nuk justifikon fitimet e deklaruara.

Një tjetër rast që AFIU raporton është blerja e pasurive të patundshme me burim të panjohur fondesh.

Shtetasja X që kishte një funksion publik, prej kohësh ka kryer investime në këtë treg, edhe kur ka qenë e papunësuar. Ajo kishte një lidhje me shtetasin Y, i dyshuar për trafik droge. Nga 2020-2023, X ka blerë njësi shërbimi, apartamente dhe vilë, në dukje me çmim me të ulët se çmimi real i tregut, të cilat arrijnë vlerën totale prej 1.4 milion euro. Nga analiza financiare, lidhur me burimin e të ardhurave të përdorura për blerjen e pasurive të paluajtshme rezultojnë vazhdimisht depozitime me para në dorë, në llogaritë bankare të shtetases X dhe kalime nga llogaria e subjektit privat që zotëron në llogari personale. Për sa i përket deklarimeve për fitimet e aktivitetit për periudhën 2018 – 2023, vlerat e deklaruara luhaten nga 5– 25 milion Lekë në vit, të cilat në total , nga data e regjistrimit të tij nuk kalojnë vlerën 750,000 EUR.

Blerja e pasurive të paluajtshme me vlera më poshtë se tregu është një tjetër skemë e njohur e pastrimit të parave të pista në Shqipëri. Dy shtetas, njëri prej të cilëve është raportuar dhe më herët si i dyshuar për përfshirje në grup të strukturuar kriminal, kanë blerë rreth 25 mijë m2 sipërfaqe me çmim anomalisht më të ulët nga tregu. Totali i vlerës së pasurive të blera arrin rreth 1 milion euro dhe janë shitur me 3.6 mln euro. Një ndër ta, thotë AFIU, është i dyshuar për abuzime me fonde publike.

Një tipologji tjetër e pastrimit të parave është ajo e prurjeve të parave nga jashtë Shqipërisë. Shtetasit A dhe B nga Europa regjistrojnë në Shqipëri një shoqëri që përfitoi transferta 5 mln euro nga një shoqëri në Afrikë të Veriut. Paratë më pas janë transferuar në llogaritë personale të ortakëve në ishujt Kajman, parajsë fiskale.  

Nga informacionet e disponuara rezultoi se shtetasi A (njëri prej ortakëve të shoqërisë Y) ka njohje me shtetasen shqiptare X, e cila ishte nën hetim për veprën penale ‘Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’.

Shtetasi A, i ka dhuruar shtetases X disa pasuri të paluajtshme si dhe më parë në periudhën 2017- 2020, i ka dërguar fonde në vlerë rreth 300.000 EUR, në llogaritë personale dhe të biznesit të saj. Ky biznes ka qenë aktiv vetëm për disa muaj gjatë vitit 2020, pa aktivitet real përpara se të kalonte në status pasiv. Ky fakt ngre dyshime se qëllimi i krijimit të këtij biznesi ka qenë vetëm kanalizimi i fondeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë