Ekskluzive

3 ditë më parë shërbimi ushtarak u njoftua për makinën e kuqe me targa ukrainase që lëviznin 3 të dyshuarit (Foto ekskluzive e mjetit)

Tre ditë më parë shërbimi ushtarak u vu në dijeni për një makinë të kuqe me targa ukrainase që po lëvizte në Gramsh i thanë burime të besueshme Gazetasi.al. Në alert ata kanë shkëmbyer infomacion, por mbetet e paqartë se  përse të dyshimtët që ishin në Shqipëri si turistë nuk u neutralituan përpara se të hynin në territor ushtarak siç është Uzina Mekanike e Gramshit.

Burime shumë të sigurta treguan për Gazetasi.al se makina e kuqe qëndroi jashtë ambjenteve kurse 24 vjeçari rus i veshur me rroba të zeza ushtarake hyri brenda në oborrin e uzinës ushtarake të Gramshit.

Dy ushtarët Aldo Bici dhe Ardian Caka i kanë bërë thirrje civilit të panjohur që të ndalojë, dhe më pas janë përleshur me të.

 I dyshuari me trup të shkurtër ka manovruar duke nxjerrë një spray kimik dhe duke ua hedhur ushtarakëve në fytyrë. Forca të tjera ushtarake të uzinës janë vënë në lëvizje përshkroi një ushtarak i lartë për Gazetasi.al duke e neutralizuar në oborr.

Por ndërsa është dhënë alarmi, të dyshuarit e tjerë që prisnin jashtë ambjenteve janë larguar menjëherë. Ushtria i ka kapur ata në ndjekje e sipër në zonën e Cërrikut bëri me dije i njëjti burim sipas të cilit është raportuar lëvizja e dyshimtë e tyre tre ditë më parë.

Nje nga ushtaraket e plagosur duke mberritur ne spitalin e Traumes

Njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit

“Nga shërbimet e Uzinës Ushtarake Çekin në Gramsh, është njoftuar se ne afërsi të rrethimit të uzinës është konstatuar një shtetas i paidentifikuar me aparat fotografik në dorë, i cili ka tentuar të fotografojë ambientet e zonës ushtarake.

Në momentin që 2 ushtarakët që ruanin objektin, e kanë pikasur dhe i janë afruar ta ndalojnë dhe ta kapin, shtetasi i huaj iu është kundërpërgjigjur me spray neuroparalizues, por 2 ushtarakët që ruanin uzinën kanë bërë të mundur neutralizimin e tij”, njoftoi policia e Shtetit në mbrëmje.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisiaratit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

“Gjithashtu, shërbimet e Policisë nga veprimet paraprake hetimore kanë marrë informacion se ky shtetas ishte shoqëruar edhe nga dy shtetas të tjerë dhe menjëherë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë kontrolluar zonën.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse S.T. 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme”, thotë zyrtarisht policia.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.

Për këtë ngjarja janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Dy ushtarakët e dëmtuar pas ndihmës së parë mjekësore janë transportuar në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë