Nga Gazeta ‘Si’– Senatori amerikan Cory Booker ka thyer rekordin për fjalimin më të gjatë të mbajtur ndonjëherë në Senat.
Fjalimi maratonë i demokratit nga New Jersey, një protestë simbolike kundër Presidentit Donald Trump, në të cilën ai paralajmëroi për një moment “të rëndë dhe urgjent” në historinë amerikane, përfundoi pas 25 orësh e katër minutash.
Rregullat për fjalime të tilla kërkojnë që folësi të qëndrojë në këmbë dhe të heqë dorë nga shkuarja në tualet.
Ai sulmoi politikat radikale të shkurtimit të kostove të Trump të cilat bënë që këshilltari i tij kryesor Elon Musk , personi më i pasur në botë, të shkurtojë të gjitha programet e qeverisë pa pëlqimin e Kongresit.
Senatori tha se kapja agresive e Trumpit e pushtetit gjithnjë e më shumë ekzekutiv e kishte vënë në rrezik demokracinë amerikane.
“Vështirësi të panevojshme po përballen nga amerikanët e të gjitha prejardhjeve. Dhe institucionet që janë të veçanta në Amerikë, të cilat janë të çmuara dhe unike në vendin tonë, po preken në mënyrë të pamatur – dhe do të thosha edhe në mënyrë jokushtetuese – po preken, sulmohen, madje shkatërrohen,” tha Booker.
“Në vetëm 71 ditë, presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar kaq shumë dëm në sigurinë e amerikanëve, stabilitetin financiar, themelet thelbësore të demokracisë sonë ”, tha ai.
Rekordi i mëparshëm mbahej nga senatori republikan Strom Thurmond, i cili, kur ishte ende demokrat në vitin 1957, foli për 24 orë e 18 minuta kundër Ligjit për të Drejtat Civile.

Booker tha se do të fliste për aq kohë sa të ishte në gjendje fizikisht, pasi ai filloi fjalimin e tij rreth orës 19:00 me kohën lokale të së hënës në mbrëmje. Ai përfundoi në orën 20:06 të së martës.
55-vjeçari, i cili është demokrati i rangut të katërt në dhomë, lexoi disa herë letra nga zgjedhësit, të cilët thanë se ishin dëmtuar nga politikat e Presidentit Trump.
Booker, i cili është afrikano-amerikan, foli për rrënjët e tij si pasardhës i skllevërve.
Partia Demokratike, aktualisht jashtë pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, u mblodh pas aktit simbolik të protestës së Booker.
Për protestën e tij, ai veshi këpucë të rehatshme dhe u përpoq të pinte sa më pak ujë.
Burimi: BBC/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




