E premtja nisi me lajmin e keq të rëndimit të bilancit tragjik të tërmetit. Autoritetet njoftuan që në orët e para të mëngjesit për 49 persona të vdekur dhe rreth 900 të plagosur. Në Thumanë, operacioni i kërkim-shpëtimit u mbyll, pasi nuk ka informacione për persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa në Durrës ai u përqëndrua në rrënojat e hotelit “Mira Mare”, ku mendohet se ndodhet ende një trup i pajetë.
Kryeministri Edi Rama mblodhi Qeverinë pak pas orës 7:00 dhe në këtë mbledhje njoftoi zgjerimin e hartës së gjendjes së emergjencës duke përfshirë në të edhe Laçin e Mamurrasin, ku tragjedia në humbje njerëzore fatmirësisht nuk është në përmasat e Durrësit dhe Thumanës, por tragjedia posttërmet është thuajse e njëjtë. Edhe në këto dy qytete janë me dhjetra ndërtesa të pabanueshme dhe me qindra qytetarë në rrugë të madhe.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi paraprakisht se numri i atyre që kanë nevojë për strehim është mbi 4 mijë persona dhe shifrën e rriti në rreth 5 mijë vetë në orët e pasdites. Policia nga ana tjetër e nisi ditën me dy arrestime.
Fillimisht Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi në Tiranë një shef rendi në Policinë e Rinasitt dhe një punonjës të shërbimit zjarrfikës me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prangat u vunë pas përhapjes në mediat sociale të një videoje ku shihej përvetësimi i ndihmave materiale të dhuruara për njerëzit në nevojë.
Më vonë, uniformat blu arrestuan një gazetare në qytetin e Durrësit për përhapje paniku. 25-vjeçarja Xhulja Aliaj kishte shpërndarë në profilin e vet në Facebook një informacion ku u bënte thirrje banorëve të Porto Romanos që të largoheshin, pasi sipas saj, depozitat e karburanteve rrezikonin të shpërthenin.
Në mesditë, grupet e emergjencës shqiptare dhe të huaj vijonin operacionin në hotel “Mira Mare”, ndërsa pasdite, ministri Bledi Çuçi, i ngarkuar me detyrën e koordinimit të operacioneve të emergjencës në Qarkun e Durrësit njoftoi se faza e kërkim-shpëtimit po shkonte drejt fundit dhe tashmë emergjenca hynte në një tjetër fazë, atë të verifikimit të sigurisë së godinave. Kjo fazë nisi në Thumanë e Durrës, ku fadromat e IKMT-së shkatërruan ndërtesat e dëmtuara rëndë nga tërmeti.
Në këtë zonë u ndal edhe kreu i Vetëvendosjes, i projektuar si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti. Pas Durrësit ai u ndal në Thumanë dhe në përshkrimin që i bën ndalesës në dy zonat më të goditura nga tërmeti thotë se Shqipëria nuk e fshihte trishtimin e lotër, por nuk ishte e gjunjëzuar.
Vetë politika shqiptare e ka lënë menjëanë “sherrin” e përditshëm, ose të paktën e ka shtyrë atë për një moment të dytë. Meta u pa në mes të Ramës dhe Gramoz Ruçit në ceremoninë e shkurtër përkujtimore për 75-vjetorin e Çlirimit në monumentin “Nënë Shqipëri”.
Kryeministri iu rikthye më pas terrenit, ku u ndal në Thumanë në ceremoninë mortore të 9 viktimave të tërmetit të së martës. Ai vizitoi edhe banorët e prekur nga tërmeti në Lezhë, të cilëve u kërkoi që të mos rikthehen në banesat e dëmtuara dhe kohë për të zgjidhur emergjencën që kanë.
Lulzim Basha u ndal në Kavajë e Shijak. Ai tha se me të drejtë strukturat shtetërore janë përqëndruar në Durrës e Thumanë, por kërkoi që të mos lihen pas dore qytetarët në këto zona. Basha foli për qindra qytetarë që kalojnë jashtë dhe qindra shtëpi të dëmtuara në Kavajë, Shijak e Vorë. Veç kësaj, kreu i PD-së tha se sipas dëshmive të banorëve ishte vënë re edhe mungesa e ndihmave dhe diferencimi i atyre pak ndihmave që ishin shpërndarë deri më tani. Ai kërkoi nga autoritetet që të veprojnë urgjentisht.
Në Tiranë, Bashkia, që një ditë më parë foli për rreth 60 ndërtesa të dëmtuara nga tërmeti, tha se kishte nisur verifikimet në terren për të identifikuar pallatet me rrezikshmëri të lartë. Nga një vështrim në terren i Gazetës “Si”, situata më problematike është në zonën e Kombinatit.
Ndihmat materiale dhe financiare vazhduan edhe sot dhe nismës iu bashkuan edhe biznesmenë shqiptarë. Nga Turqia, Presidenti Recep Taip Erdogan premtoi ndërtimin e 500 banesave për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, Vatikani dhuroi shumën simbolike prej 100 mijë eurosh, ndërsa në portalin qeveritar kushtuar donacioneve, shuma arriti në rreth 32 milionë lekë, nga 3351 dhurues.
Mbështetjen e ofruan edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Bashkimi Europian njoftoi se do të ofrojë ndihmë shtesë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile duke ndihmuar me inxhinierë dhe ekspertë për vlerësimin e dëmeve dhe të sigurisë së ndërtesave.
Në terren, ndihmat materiale vijuan u shpërndanë, pavarësisht problematikave të shpërfaqura në organizim, ndërsa Qendra Europiano-Mesdhetare e Sizmiologjisë publikoi një grafik që konfirmon se toka po zë vend. Grafiku tregonte uljen si në sasi, ashtu edhe në intensitet të tërmeteve të regjistruara në 24 orët e fundit në Shqipëri.
Mesazhe pozitive përcollën edhe sizmiologët shqiptarë. Ata përsëritën se paslëkundjet pas atij tërmeti 6.4 Rihter janë një proces normal dhe se intensiteti e shpeshtësia e tyre po vjen gjithnjë e në rënie.
Në media, një zë të veçantë zunë ekspertët. Zëri i Amerikës kishte publikuar një intervistë të gazetarit Ilir Ikonomi me një ekspert amerikan, që bën thirrje për vendosjen nga ana e shtetit shqiptar të një prioriteti në politikat e mbrojtjes ndaj tërmeteve.
Nga bota e artit, këngëtarja Dua Lipa postoi një fotomontazh të vetin, ku në njërën anë ishte e mbuluar me ngjyrat e flamurit të Kosovës dhe nga ana tjetër me ngjyrat e Flamurit Kombëtar.
Ky është epilogu i një tjetër dite të gjatë për Shqipërinë dhe shqiptarët, me shpresën që e nesërmja do të jetë një ditë më e mirë, sidomos për ata që e kanë ende kokën jashtë, e që nuk janë pak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




