Lajme

23 raste të reja, 17 të shëruar. Testim kontakteve të afërta të Bratajt, edhe gazetarëve

Përgjatë 24 orëve të fundit janë shtuar 23 rast me COVID-19 në vendin tonë, nga 111 testime të kryera. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakaçolli ka deklaruar se harta e personave të prekur është shtrirë edhe në Krujë.
“Ju informojmë se në spitalin Infektiv ndodhen aktualisht 72 pacientë të shtruar, 4 prej tyre janë në terapi intensive (3 pacientë janë të intubuar në gjendje të rëndë). Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavijon janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Lajmi i mirë është se 17 qytetarë deri në këto momente janë shëruar (të shtruar dhe të vetizoluar) pas dy testeve të kryera. Por ata duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim për 14 ditë,” deklaroi Rakaçolli.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
• Tiranë 83 qytetarë
• Durrës 9 qytetarë
• Lushnjë 4 qytetarë
• Elbasan 3 qytetarë
• Fier 14 qytetarë
• Rrogozhinë 2 qytetarë
• Kavajë 4 qytetarë
• Korçë 11 qytetarë
• Vlorë 5 qytetarë
• Shkodër 3 qytetarë
• Lezhe 4 qytetarë
• Berat 1 qytetarë
• Has 2 qytetarë
• Krujë 1 qytetarë
Ndër të tjera Rakaçolli theksoi edhe një herë për qytetarët se duhet të kenë kujdes, duke mos shkuar menjëherë në spital. Të telefonojnë në linjën e re 0800 40 40, për çdo informacion që kërkojnë mbi COVID-19 dhe në rast se kanë shenja të telefonojnë numrin unik 127.

Rakaçolli deklaroi gjithashtu se në rastin e doktorit të urgjencës kombëtare mjekësore Skënder Brataj është duke u zhvilluar një hetim epidemiologjik i hollësishëm.  Sipas zëvendësministres edhe gazetarët  të cilët janë konsideruar si persona të ngushtë kontakti do të testohen.

“Nuk ka persona të tjerë të infektuar në urgjencën mjekësore, por hetimi epidemiologjik po vazhdon atje me shumë intensitet,” u shpreh ajo.

Ndër të tjera zëvendësministrja deklaroi se edhe mjekët që punojnë në vijën e parë me pacientët e prekur nga COVID-19, nëse kanë dyshime se mund të jenë infektuar do të testohen.

Ndërkohë, zëvendësministrja tha se në karantinën shtetërore në Kavalishencë ndodhen vetëm 2 persona. Për sa i përket medikamentin anti-malarik, Rakacolli deklaroi se ka një stok të këtij medikamenti në vendin tonë .

Zëvendësministrja tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka drejtuar një kërkesë zyrtare të qeverisë kineze nëpërmjet ambasadës së Kinës në vendin tonë, ndërsa ndihmat e ardhura nga Turqia, përmbanin mjete mbrojtëse për të gjithë personelin mjekësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë