Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është shpallur nga UNESCO në vitin 1999. Si e tillë ajo festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është promovimi dhe ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësore dhe kulturor si dhe promovimin e shumë gjuhësisë. 21 shkurti edhe zyrtarisht është pranuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2007 me një rezolutë të veçantë dhe është caktuar për të përkujtuar ditën e protestave të studentëve të univesitetin Dhaka me origjine nga Bengali në vitin 1952, të cilët u konfrontuan me policët pakistanez pasi protestonin për të drejtën e gjuhës së tyre bengaleze që të pranohej si gjuhë zyrtare. Gjuha është pjesë e pandashme e identitetit të një populli me anë të së cilës shprehet shpirti dhe kultura e tij. Gjuha e një populli, zhvillimi i saj, e folura, dashuria ndaj saj dhe promovimi i saj tregon, në fakt, kulturën që mbretëron brenda pjesëtareve të atij populli, asaj shoqërie.
Historia e Gjuhës shqipe
Gjuha jonë daton që nga viti 1462, kur Imzot Pal Ëngjëlli, shkroi në shqip formulën e pagëzimit. Nga historia kemi mësuar se gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, ku futen gjuhet indiorianike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave e të tjera, ndërda Meshari i Gjon Buzukut është libri më i vjetër i botuar dhe përkthimi i parë në gjuhën shqipe. Gjuha jonë është një degë e veçantë e kësaj familje dhe nuk ka asnjë lidhje me gjuhët e sotme indoevropiane. Përcaktimi i gjuhës shqipe si një ndër gjuhët indoeuropiane u bë nga dijetari gjerman Franz Bopp, i cili shkroi edhe librin “Ueber das Albanesische in scinen verëandtschaftlichen Bezichungen”, botuar në vitin 1854.
Gjithashtu, faktet historike kanë treguar se gjuha jonë është një ndër më të vjetrat në Ballkan, duke qenë se është vazhdim i ilirishtes. Që prej asaj kohë fiset ilire nuk lejuan që gjuha e tyre të shuhej nga pushtimi romak, njëjtë siç bënë shqiptarët, në shumë luftëra të mëvonshme, pavarësisht se pushtimi osman ndikoi shumë. Por të parët tanë nuk e harruan gjuhën e tyre dhe në vitin 1879 u formua alfabeti i Shoqërisë së Stambollit (në kohën e pushtimit osman), i cili ishte i përshtastëshm për gjuhën shqipe dhe ku mund të gjejmë vepra të shumta që janë shkruar nga shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë.
Më pas alfabeti u rishikua dhe në vitin 1908 Kongresi i Manastirit miratoi alfabetin me të cilin shkruajmë dhe flasim edhe në ditët e sotme.
Prej kohësh studiues të mëdhenj kanë hulumtuar mbi gjuhën tonë duke e krahasuar atë me gjuhë të tjera. Për sa i përket dialekteve, gjuha shqipe është një njësi gjuhësore që përputhet me të gjitha njësitë etnike. Ajo është e përbërë nga dy dialektet kryesore që siç dihet janë Toskërishtja në Jug dhe Gegërishtja në Veri.
Në gegërishten e veriut përcaktohet edhe tre nën ndarje. E para që përfshin të folurën e zonës së Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dhe e dyta që përfshin të folurën e qyteteve si Durrësi, Tirana, Elbasani dhe rrethinat dhe e treta përfshin të folurën e krahinave të Kosovës dhe Dibrës.
E njëjta ndarje është edhe në dialektin e Toskëve, e para përkon me të folurën në zonën e Labërisë dhe të Çamërisë. Gjithashtu, gjenden larmi dialektore të toskëve tek shqiptaret e Italisë dhe Greqisë.
A po rrezikohet gjuha shqipe nga gjuhet e tjera?
“Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh e është plot gjallëri e jetë, sa mund të përkthehen në të klasikët e çdo kombi, e çdo kohe,” ka thënë Gjergj Fishta.
Gjuha shqipe, për formësimin e saj të tashëm, është kushtëzuar nga faktorët historikë, shoqërorë, ekonomikë, politikë, po dhe nga faktorë të brendshëm. Pa dyshim se zhvillimi i gjuhës varet nga prania e huazimeve të cilat e pasurojnë, njëkohësisht edhe e “dëmtojnë” të tashmen dhe të kaluarën e saj, kur fjalët shqipe ekzistojnë në vend të asaj të huaj që e përdorim pa pasur nevojë. Gjuha shqipe u rezistoi dekadave të shumta ndërkohë që gjuhëtarët kohët e fundit janë të shqetësuar pasi shqipja është e rrezikuar nga trysnia e shumtë e fjalëve të huaja. Duke marrë parasysh raportet e ndryshme të Shqipërisë me vendet e huaja, marrëdhënia e shqipes me gjuhët fqinje është shtuar në vitet e fundit, duke ndikuar kështu në gjuhën shqipe. Gjuhëtarë të ndryshëm kanë theksuar se ndërveprimet ekonomike dhe kulturore me vende të tjera të botës kanë bërë që gjuha shqipe të rrezikohet, duke u pasuruar me fjalë të huaja të panevojshme. Ditë më parë Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë deklaroi se në gjuhën shqipe janë shtuar edhe 48 mijë fjalë të tjera. Fillimisht këto fjalë artikulohen në media dhe më pas përdoren nga publiku duke mos pasur nevojë, pasi shumica e tyre thjesht zëvendësojnë fjalët tona shqip. Ky është një problem që kohët e fundit po vërehet edhe në librat e shkrimtarëve dhe artikuj informues, por fatmirësisht shqipja standarde ende nuk është prekur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.