Gazeta Si – Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej viktimave të “21 Janarit” 2011 para kryeministrisë, u takua këtë të martë me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho për të marrë informacion mbi ecurinë e hetimeve.
Pasi doli nga SPAK, Nika zbuloi edhe detaje nga takimi, që ishte kërkuar nga vetë ai, por u shpreh për mediat se procesi po zvarritet dhe se ende nuk janë marrë në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.
Ai theksoi se çështja ka hyrë në vitin e 16 dhe vijon të mbetet pa zgjidhje, ndërsa kërkoi që hetimet të përshpejtohen dhe të përfshijnë edhe ish-zyrtarë dhe punonjës të Gardës.
Nika ngriti shqetësim edhe për kasetën e dorëzuar nga gazetari Artan Hoxha, duke theksuar se ajo ende nuk është dërguar për ekspertim. Sipas tij, familja do të vijojë të ndjekë çështjen deri në zbardhjen e plotë të saj.
“Jo, asnjë person nuk është nën akuzë. SPAK thotë po punojmë, kështu ishte edhe deklarata e kryeprokurorit. Ata kanë në dorë se si do shkojë kjo çështje. Ne kemi kërkuar psh, ish-sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhjën, punonjësit e departamentit të IT dhe ata nuk janë thirrur. Thonë është parashkruar dhe është e panevojshme të hetohet një vepër që është parashkruar”, tha Nika.
Edhe në 21 janar të këtij viti, në përvjetorin e 15-të të ngjarjes, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehun.
I afërmi i Aleks Nikës këmbëngul se për vrasjen e nipit të tij në planin politik, përgjegjës është Partia Demokratike me Sali Berishën si kryeministër dhe Lulzim Bashën si ministër i Brendshëm. Ai i akuzon ata se fshehën provat e ngjarjes para kryeministrisë.
Procedimi penal për “21 Janarin”, u regjistrua më 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë dhe në zbatim të vendimit përfundimtar të Gjykata e Strasburgut, e cila më 14 nëntor 2023 konstatoi shkelje të rënda nga shteti shqiptar dhe kërkoi të hetojë, identifikojë e ndëshkojë zinxhirin komandues që urdhëruan vrasjen e Aleks Nikës dhe tre protestuesve të tjerë, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Që nga nisja e hetimeve, SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes.
Para prokurorëve janë paraqitur ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij.
Një nga provat e reja kyçe në hetim është një audio-regjistrim rreth 34 minuta, dorëzuar nga familja e Aleks Nikës, ku dëgjohen komunikime radio të zinxhirit komandues të Gardës së Republikës gjatë momenteve kritike të protestës.
Në regjistrim, sipas burimeve, dëgjohet ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë urdhër për përdorimin e plumbave të vërtetë, dhe jo municion manovër, ndaj protestuesve.
Më 21 janar 2011, në protestën e zhvilluar nga opozita e kohës, 4 persona mbetën të vrarë me armë zjarri: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Për 2 nga 4 të vrarët e 21 janarit 2011 në Bulevard nga drejtësia shqiptare, është dhënë një dënim me 1 vit burg për Ndrea Prendin dhe 3 vite burg për ish-gardistin, Agim Llupo, të fajësuar për “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërsa pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut ku thuhet se autoritetet shqiptare duhet të identifikojnë dhe ndëshkojnë përgjegjësit për vrasjen e një tjetër protestuesi, Aleks Nikës, SPAK ka rihapur çështjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje